Përfaqësim i dobët i shqiptarëve në Bibliotekën Kombëtare Universitare (Video)

Lindita Ahmeti e cila ka pengesa në të ecur, më në fund ka arritur të punësohet. Ajo tani punon si bibliotekiste në Bibliotekën Kombëtare Universitare, në sektorin e revistave. Lindita deri tani e ka pasur të vështirë të gjejë punë, sipas saj kjo ka ndodhur për shkak të paragjykimeve që kanë njerëzit.

“Me vetë faktin që për herë të parë jam këtu, domethënë që ka qenë pak më e vështirë, nuk ka qenë aq e lehtë. Nuk e di ndoshta njerëzit kanë edhe paragjykime, për këtë nuk mund të them asgjë më tepër. Tani për tani jam në punë këtu dhe shpresoj se do të bëhet mirë”, tha Lindita Ahmeti, bibliotekiste.

Lindita tha se është e lumtur që është punësuar pikërisht në bibliotekë dhe që është e rrethuar me libra.

Në këtë bibliotekë gjithsej janë të punësuar 105 persona, ndërsa vetëm 5 prej tyre janë shqiptarë. Vet drejtoresha Senka Naumovska, tha se ata nuk janë të mjaftueshëm që t’i përmbushin kërkesat e studentëve shqiptarë.

“Vitin e fundit kemi disa kolegë të cilët tani mund t’i japin këto shërbime në gjuhën shqipe dhe të na ndihmojnë në përpunimin e literaturës e cila është në gjuhën shqipe. Deri tani ka pesë bibliotekist të cilët flasin në gjuhën shqipe. Mendoj që ky numër është i pamjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e të gjithë shfrytëzuesve”, tha Senka Naumovska, drejtoreshë e Bibliotekës Universitare Kombëtare – BUK.
a
Sot Biblioteka Kombëtare Universitare shënoi ditën botërore të librit me program muzikor. Kjo bibliotekë disponon me më shumë se 3 milion libra edhe atë në më shumë gjuhë. Sipas drejtoreshës numri i lexuesve luhatet nëpër periudha, mirëpo mesatarisht në vit ka 90 000 shfrytëzues, nga ata 800 të rinj që regjistrohen çdo vit.