Përdhunoi për vite me radhë të bijën e mitur, dënohet me 8 vite burg 51 vjeçari

Gjykata e Apelit në Tiranë ka dënuar me 8 vite burg 51-vjeçarin me inicialet Sh.I. nga Kurbini, i cili u shpall fajtor për përdhunimin e së bijës. Më 12 korrik të vitit 2019, 51-vjeçari u arrestua pasi vajza e tij e denoncoi rastin me anë të një videoje në një emision investigativ. Nga përgjimet dhe videot u zbulua se 51-vjeçari krijonte edhe situata, si shëtitje me makinë apo për të shkuar për të marrë dokumenta me vajzën, si e si të ishte vetëm me të.

51-vjeçari u akuzua për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhune me te mitur te moshës 14-18 vjeç” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”.Për këto dy akuza ai u dënua me 12 vite burg nga gjykata e shkallës së parë, por duke qenë se kërkoi gjykim të shkurtuar ju ul 1 e 3 e dënimit. Ekspertizat mjeko-ligjore zbuluan se 51-vjeçari kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën që në moshën 15-vjeçare dhe më pas ka vijuar me aktin e rëndë për 3 vite me radhë.