Përçahet opozita në Turqi, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale

Udhëheqësja e krahut të djathtë të partisë, “Iyi Partisi”, Meral Aksener, ka thënë se aleanca opozitare që përbëhet prej gjashtë partive politike nuk pasqyron më vullnetin kombëtar të Turqisë, duke sinjalizuar tërheqjen nga grupimi përpara zgjedhjeve të muajit maj.

Aksener deklaroi në një konferencë shtypi të premten se kandidatët presidencialë të propozuar nga partia që udhëheq, kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu dhe të Ankarasë, Mansur Yavas nuk u pranuan nga pesë partitë e tjera, raporton aljazeera.

Pesë partitë e tjera kishin rënë dakord për Kemal Kilicdaroglu, kreun e partisë kryesore opozitare, Partinë Popullore Republikane (CHP), si kandidatin e tyre të përbashkët për të sfiduar presidentin, Recep Tayyip Erdogan.

Pas një takimi të enjten, aleanca kishte thënë se do ta shpallte të hënën kandidaturën e përbashkët për zgjedhjet presidenciale, pak më shumë se dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.

Megjithatë, pozicioni i Aksener tani mund ta bëjë edhe më të vështirë për opozitën që të mund Erdoganin.

Ky i fundit është kandidat i përbashkët i dy partive në pushtet, AKP dhe MHP-së së Devlet Bahçeli.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në shtetin turk do të mbahen më 14 majit, pavarësisht se thirrje për shtyrjen e tyre shkaku i tërmeteve që goditën vendin më 6 shkurt, ku deri më tani kanë vdekur mbi 44 mijë njerëz.