Përbetimi i Erdogan-it: Jeruzalemi s’falet! Jo realizimit të “Marrëveshjes së Shekullit” mes Trump dhe Netanjahut

Turqia nuk do ta lejojë zbatimin e planit të Donald Trump-it për Lindjen e Mesme, i cili synon të legjitimojë pushtimin izraelit nën kujdesin e SHBA-ve, tha të dielën Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Në deklaratën e bërë në kuadër e Koferencës së Tretë të Platformës Ndër-parlamentare për Jeruzalemin të mbajtur në kryeqytetin e Majalzisë, Kuala Lumpur, Presidenti Erdogan vuri në dukje se e ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit” dëshiron të shkatërrojë tërësisht ekzistencën e palestinezëve, dhe njëkohësisht propozon aneksimin e Jeruzalemit.

“Plani nuk është gjë tjetër veçse një propozim që kërcënon paqen dhe qetësinë në rajon”, tha ai.

Erdogan theksoi se Izraeli arritur në kufijtë e tij të sotëm përmes shkatërrimit të Palestinës dhe vuajtjeve të shkaktuara ndaj palestinezëve.

“Turqia kurrë nuk do të heshtë në lidhje me aneksimin e Jeruzalemit, e as nuk do t’i braktisë vëllezërit e vet palestinezë në këtë luftë”, tha ai, duke përsëritur edhe një herë se Jeruzalemi është një “vijë e kuqe” për Turqinë.

Erdogan u bëri thirrje vendeve muslimane të marrin përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur Xhaminë Al-Aksa dhe të drejtat e palestinezëve.

“Politika e ndjekur nga disa vende muslimane kundër këtij hapi, që është edhe fillimi i një procesi që do të prekë të gjithë botën, veçanërisht Lindjen e Mesme, ka krijuar një pamje të trishtueshme”, tha ai duke kritikuar heshtjen dhe indiferencën e disa vendeve islame ndaj planit të diskutueshëm të Trump-it.

Trump-i e bëri të ditur planin e shumëpritur të paqes për konfliktin izraelito-palestinez para pak kohësh, pavarësisht faktit se ai ishte refuzuar nga palestinezët. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës që u bë njoftimi, por asnjë zyrtar palestinez nuk ishte i pranishëm. Në një konferencë për shtyp të dhënë më vonë, Trump-i tha se Jeruzalemi do të mbetet “kryeqyteti i pandarë” i Izraelit.

I ashtuquajturi “Plani i Paqes” anulon në mënyrë të njëanshme rezolutat e mëparshme të OKB-së për çështjen Palestineze dhe sugjeron t’i jepet Izraelit pothuajse gjithçka që ka kërkuar.

Pas vendimit të Trump-it në dhjetor 2017 për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, çështja u dërgua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasi SHBA-të i vendosën veton një projekt-rezolute në lidhje me këtë çështje në Këshillin e Sigurimit.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi projekt-rezolutën me 128 vota në favor, nëntë kundër dhe 35 abstenime në 21 dhjetor 2017, duke kërkuar nga SHBA-të që të tërhiqnin vendimin e saj për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Në vitin 1980, në një levizje që kurrë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare, Izraeli aneksoi tërë qytetin, duke e pretenduar dhe vetëshpalluar atë si kryeqytetin “e përjetshëm dhe të pandarë” të shtetit hebre.