Kreu i VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, i cili akuzohet nga shumica se po bllokon zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së, duke kërkuar amnisti për anëtarët e VMRO-së të akuzuar për dhunën e 27 prillit, mohoi kategorikisht zërat se partia e tij kushtëzime. Mickoski tha se KSHZ-ja është pikë e fundit e paketës së ligjeve reformuese, ku bëjnë pjesë edhe Ligji për Qeverinë dhe Financimin e Partive.
Nuk guxon KSHZ-ja të shihet si çështje e ndarë, ajo ishte pjesë e një pako më të madh që filloi me të ashtuquajturat ligjet reformuese. Kjo gjë filloi nga muaji mars dhe prill i këtij viti ku opozita mori pjesë në përpilimin e tyre por edhe në sjelljen e tyre kur edhe u kthye në parlament. Hapi i dytë në të gjithë këtë procedurë që atëherë u morëm vesh dhe e pranoi shumica ishte sjellja e ligjit për financimin e partive politike dhe ndryshimin e ligjit për Qeveri ku duhet të definohen të njëjtat kushte që i kishte opozita e kaluar në zgjedhjet e vitit 2016, e pas asaj si pikë e rendit të ditë vjen Komisioni Shtetërorë Zgjedhor – deklaroi Hristjan Mickovski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sa i përket mbajtjes se referendumit, Mickoski tha që çdo gjë mbetet e hapur deri në caktimin e të njëjtit nga shumica parlamentare. Sipas tij, që opozita ta respektojë referendumin, i njëjti duhet të jetë korrekt dhe demokratik.
Përderisa nuk caktohet ekzistojnë shumë mundësi dhe të gjitha opsionet janë të hapura. Mund edhe të ndodh edhe të mos ndodhë. Ashtu që, përderisa nuk caktohet referendumi, pëdersisa nuk definohet pyetja e referendumit të gjitha mundësitë mbeten të hapura. Ju e dini se referendumin e cakton shumica në Parlament, ajo do të thotë 61 deputetë – theksoi Hristjan Mickovski.
Nga BDI akuzojnë VMRO-në opozitare se me bllokimin zgjedhjeve të anëtarëve të KSHZ-së po i bllokon proceset e rëndësishme. Ata i bëjnë thirrje opozitës që të heq dorë nga kushtëzimet dhe të luaj rol konstruktiv.
Opozita duhet të ngre dorë nga kushtëzimet dhe të jep kontribut të menjëhershëm për zgjedhjen e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor pa asnjë vonesë të mëtejme. Ne po punojmë për zgjidhje të shpejtë dhe jemi të bindur që të gjitha afatet do të respektohen dhe arrihen, thonë nga BDI-ja – thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Kushtëzimet e VMRO-DPMNE-së ndaj përbërjes së KSHZ-së për kryeministrin Zoran Zaev janë sjellje adoleshentësh. Sipas Zaevit, pavarësisht qëndrimit të opozitës ndaj referendumit, KSHZ-ja duhet të jetë funksionale. Në lidhje me kërkesat për Ligjin për Qeverinë, Zaev tha se është e pamundur që VMRO-DPMNE t’i ketë përfitimet që i ka pasur LSDM në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, pasi që aso kohe opozita kishte ndërprerë bombat politike ndërsa tani nuk ka një situatë të tillë.
Fillimisht të mbarojë zgjedhja e KSHZ-së dhe kjo nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhshmëri me referendumin. Është çështje logjike e cila u hap pas dorëheqjes së anëtarëve të KSHZ. Siç e dini, në bazë të marrëveshjes me opozitën është zgjedhur modeli i vjetër, respektivisht opozita të ketë kryetarin dhe dy anëtarë ndërsa pushteti 4 anëtarë apo thënë ndryshe shumicën – tha kryeministri Zoran Zaev.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbeti pa përbërje që nga dhjetori i vitit kaluar, pas dorëheqjeve të anëtarëve dhe kryetarit të KSHZ-së pas skandalit që e denoncoi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli. Ky i fundit dje në një intervistë për Alsat i bëri thirrje opozitës që të mbaj fjalën e dhënë, se do i mbështes proceset euro-integruese të vendit, duke aluduar në mbajtjen e referendumit. Ndonëse procedura për përbërjen e re ka filluar dhe paraprakisht konkursi për anëtarë ka përfunduar, fati i KSHZ-së është bllokuar në Komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvend me të cilin udhëheq opozita. Kjo e fundit si kusht ka Ligjin mbi financimin e partive politike dhe Ligjin mbi Qeverinë. Jo zyrtarisht, ne mesin e kushteve është edhe amnistia për funksionarët e akuzuar të VMRO-DPMNE-së dhe të akuzuarit për dhunën në Kuvend.