Për vejushat në Afrikë, COVID-19 grabiti burrat, shtëpitë, të ardhmen

Kur Anayo Mbah shkoi të lindë fëmijën e saj të gjashtë, burri i saj luftonte me COVID-19 në një spital tjetër në qytet.

Jonas, një i ri shofer taksie me motoçikletë, ishte vënë në oksigjen pasi filloi të kollitej me gjak.

Jonas nuk do ta takonte kurrë vajzën e tij, Chinaza. Disa orë pas lindjes, kunata e Mbah telefonoi për të thënë se ai kishte mbaruar.

Nga ana tjetër, personeli në spitalin që ndodhej në Nigerinë juglindore, shpejt i kërkoi Mbah dhe foshnjes së saj të iknin, se asnjë nuk kishte ardhur për të paguar faturën e saj.

Mbah filloi ritet e vejushërisë në shtëpinë ku jetonte me vjehrrin e vjehrrën e saj: kokën e rruar dhe ihte e veshur me rroba të bardha. Por vetëm disa javë pas periudhës së zisë që tradicionalisht zgjat gjashtë muaj, të afërmit e burrit të saj të ndjerë nuk i jepnin më ushqim dhe më pas u përballën me të drejtpërdrejt.

“Ata më thanë se ishte më mirë për mua të gjeja rrugën time,” tha Mbah, tani 29 vjeç. “Ata thanë se edhe nëse duhej të ikja të martoheja sërish, mund ta bëja. Madje sa më herët të largohesha nga shtëpia, aq më mirë do të ishte për mua dhe fëmijët e mi.”

Ajo u nis në këmbë për në shtëpinë e nënës së saj me vetëm një qese plastike me ca gjëra për Chinaza dhe fëmijët e saj të tjerë.

Në të gjithë Afrikën, vdekjet e burrave kanë goditur prej kohësh një numër të madh grash – veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara të kontinentit ku pajisjet mjekësore janë të pakta. Shumë të veja janë të reja në moshë, të martuara me burra dekada më të vjetër. Dhe në disa vende, burrat shpesh kanë më shumë se një grua, duke lënë pas disa të veja kur ato vdesin.

Tani, pandemia e koronavirusit ka krijuar një popullsi edhe më të madhe të të vejave në kontinent, me burra afrikanë shumë më të prirë të vdesin nga virusi sesa gratë, dhe kjo ka përkeqësuar problemet me të cilat përballen.

Gratë si Mbah thonë se pandemia ka marrë më shumë sesa vetëm burrat e tyre: Në vejurinë e tyre, kjo u kushton atyre familjet, shtëpitë dhe të ardhmen.