“Për vaksinën e tretë nuk e kam kohën, për PCR nuk i kam 30 euro”

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që kërkon nga qytetarët që duan të hyjnë në shtet të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit me tri doza, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët e shteteve fqinje të Kosovës.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë, Qeveria e Kosovës, më 21 janar, ka miratuar masa të reja kundër pandemisë.
Sipas tyre, qytetarët që hyjnë në Kosovë, duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.

Ata që nuk e kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.
Disa qytetarë të Kukësit të Shqipërisë – qytet afër kufirit me Kosovën – kanë protestuar të hënën në pikën kufitare të Morinës, që lidh dy vendet.

“I kemi bërë dy vaksina. Ata kërkojnë të tretën. E treta nuk bëhet nëse nuk e ka kohën, [domethënë] pa u bërë gjashtë muaj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Afrim Muja, njëri nga protestuesit.
Sipas tij, ky është problem i shkaktuar nga Qeveria e Kosovës.

“Ky është problem qeveritar. Vetëm në Kosovë e kemi këtë kusht, se në shtetet e tjera jo, as në Greqi, as në Maqedoni të Veriut nuk e kemi këtë kusht”, ka thënë ai.