Për të tretën herë, ekipi i boksit nuk lejohet të hyjë në Serbi

Delegacioni i boksit i Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi as sot, në tentimin e tyre të tretë, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi
Ditën e djeshme, ekipi i boksit u ndalua dy herë të kalonte kufirin me Serbinë. Fillimisht ata u ndaluan dhe iu kërkua të linin tutat sportive ku kishte simbole të shtetit të Kosovës.

Delegacioni i Kosovës nuk pranoi, teksa kjo alarmoi edhe AIBA-n, që kërkoi nga Serbia ta trajtonte Kosovën si të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse.
Ekipi i Kosovës provoi edhe njëherë mbrëmë, pa simbolet e shtetit të Kosovës, por sërish nuk u lejuan.
Kujtojmë se Botërori fillon sot, ndërsa Kosova synonte të merrte pjesë me tre boksierë.