Për të mësuar nga librat dixhital, nxënësit duhet t’i blejnë vetë tabletët

Nxënësit e klasës së katërt që këtë vit të ri shkollor do të mësojnë me libra digjitalë, sipas konceptit të ri për mësim, do të duhet vet ti sigurojnë pajisjet digjitale. Ministria e Arsimit dhe komunat, pajisje digjitale do t’u sigurojnë vetëm nxënësve që vijnë nga familjet me rrezik social. Gjithashtu, ministrja e Arsimit Milla Carovska tha se janë shtypur edhe një numër i caktuar i librave për klasën e katërt, por, të njejtat do të përdoren në raste të jashtëzakonshme.

“Tabletët janë distribuuar për ato nxënës për të cilët shkollat kanë lajmëruar se janë kategori sociale. Ata të cilët kanë mundësi duhet ti sigurojnë vet sepse edhe vitin e kaluar nxënësit kanë ndjekur mësimin online. Librin duhet ta kenë në një pajisje të familjes. Rekomandimet e mësimdhënësve që kaluan trajnimin është të përdoren librat digjital, prandaj themi në raste te jashtëzakonshme duhet të përdoret libri i shtypur”- deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Edhe prindërit kanë shprehur shqetësimet e tyre për fillimin e vitit shkollor në bazë të reformave të reja. Mësuesja, Gordana Pavllova tha se është në komunikim të vazhdueshëm me prindërit për të sqaruar çdo detaj që sjell koncepti i ri mësimor.

“Kjo është risi, sigurisht që në mënyrë shtesë do të duhet të informohen prindërit që në mbledhjen e parë që do ta mbajmë menjëherë pas fillimit të vitit shkollor. Shkolla jonë tashmë është furnizuar me një numër të madh të tabletëve, në proces furnizimi janë edhe një numër shtesë me qëllim që të gjithë fëmijët e klasës së katërt të marrin tablet për realizimin e mësimit”- pohoi Gordana Pavllova, mësuese në sh.f “Dane Krapçev”.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, janë siguruar 10 mijë tabletë për nxënësit e klasës së katërt në gjendje të rëndë ekonomike. Prej tyre, 3 mijë tashmë u janë shpërndarë shkollave fillore.