Për të kursyer rrymë elektrike, propozohet që administrata të punojë dy orë më pak

Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) ka dalë me propozim për kursimin e energjisë elektrike, në kohën kur autoritetet presin të një nga periudhat më të vështira sa i përket rrymës elektrike. KSL sot propozoi që sektori publik të punojë dy orë më pak, nga ora 9 e mëngjesit deri në 15:00, kur ka më shumë dritë të ditës dhe kur është më nxehtë gjatë ditës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç ka paralajmëruar sot kryetari i KSL-së, Bllagoja Ralpovski, energjia që do të kursehet nga institucionet publike më pas duhet t’i jepet si ndihmë sektorit afarist dhe ndërmarrjeve publike për të parandaluar goditjet e mëdha të çmimeve.

“Mund të bëhet racionalizimi, sektori publik mund të punojë me orar të reduktuar prej dy orësh, që do të kursejë sasi të mëdha të energjisë elektrike. Mund të krijohen ekipe kujdestare që do të kryejnë aktivitetet e nevojshme gjatë një dite”, theksoi Ralpovski.