Për ta liruar nga bu*rgu Rexhep Selimin, avokati e përdor një deklaratë të Albin Kurtit

David Young avokat i ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Rexhep Selimi e ka përdorur një deklaratë të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në kërkesën e tij parashtruar Gjykatës Speciale për lirimin e përkohshëm të klientit të tij.

Duke arsyetuar se nuk ekziston rreziku i arratisjes së Selimit në rast se ai lihet i lirë Young shkruan se Kurti kishte thënë veprimtaria e Selimit është karakterizuar gjithmonë me nder dhe integritet.

“Rreziku i arratisjes. Z. Selimi është një figurë publike që është i njohur në të gjithë Kosovën si politikan në partinë politike Vetëvendosje dhe aktualisht shërben si anëtar i Kuvendit të Kosovës në emër të asaj partie, ku është gjithashtu Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Siç shpjegohet nga Z. Albin Kurti udhëheqësi i partisë politike më të madhe të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës veprimtaria patriotike dhe profesionale e Z. Selimi është karakterizuar gjithmonë nga përkushtimi i plotë nderi dhe integriteti në ushtrimin e detyrave të tij.

Këto detyra kanë qenë thelbësore duke filluar me pozicionin si Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (1999-2000) ajo e Komandantit të Akademisë së Mbrojtjes (2000-2003) dhe shumicën e kohës ajo e fundit e deputetit të partisë politike Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës” ka shkruar avokati. Ai e ka përmendur edhe bashkëpunimin e Selimit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjatë intervistimeve të tij si një nga arsyet tjera për lirimin e përkohshëm të klientit të tij.

“Z. Selimi bashkëpunoi plotësisht me hetuesit e ZPS-së pasi i ishte lëshuar një thirrje për intervistë nga ZPS të cilën ai e ndoqi vullnetarisht për tri ditë intervistim me ZPS-në më 12, 13 dhe 14 nëntor 2019. Ai e aranzhoi vetë udhëtimin e tij për në Hagë duke udhëtuar nga Prishtina me qëllim të pjesëmarrjes në intervistat e ZPS-së. Me kërkesë të ZPS-së ai u kthye në Hagë nga Prishtina për dy ditë të tjera të intervistave më 18 dhe 19 shkurt 2020. Z. Selimi iu përgjigj pyetjeve të ZPS-së dhe nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për përfaqësim ligjor gjatë intervistimit” thuhet ndër tjerash në kërkesën e Young.

Ai ka kërkuar që Selimi të lirohet përkohësisht me apo pa kusht. Po kështu Young ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që të vendos ta mbajë një seancë dëgjimore për këtë çështje më 16 dhjetor. Gjithashtu mbrojtja ka kërkuar që të reduktohet afati kohor i marrjes së përgjigjes në lidhje me aplikimin nga 10 në katër ditë.