Për shkak të deputetëve, pësojnë punëtorët! Rreth 17.000 të punësuar pa rroga të shkurtit, pakoja e pestë e bllokuar

Madje 10.7% e kompanive, duke i përfshirë edhe të vetëpunësuarit, nuk kanë arritur t’ua japin rrogën e shkurtit punëtorëve të tyre, kumtoi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska. Bëhet fjalë për 17 mijë të punësuar nuk e kanë marrë rrogën e shkurtit.
Sipas Lukarevskës, kjo situatë është rezultat i pamundësisë financiare të kompanive që ta lëshojnë rrogën, shkaku i koronavirusit dhe ligjeve të bllokuara që kanë të bëjnë me pakon e pestë masash për ndihmë të punëdhënësve.

“Lidhur me informacionin për rrogat e papaguara në muajin shkurt, prej 63.948 MPIN llogaritjeve të dorëzuara, 6.888 punëdhënës nuk i kanë paguar rrogat, që i bie rreth 10.7%”, tha Sanja Lukarevska – drejtoreshë e DAP.
Lukarevska apeloi që Kuvendi sa më shpejt që është e mundur t’i sjellë ligjet nga pakoja e pestë masash me qëllim që të mos gjobiten kompanitë që nuk e kanë paguar rrogën e shkurtit. Ajo tha se do të ketë tolerancë, por se kompanitë sërish do të kontaktohen, me qëllim që të gjendet mënyrë – se si t’i menaxhojnë rrogat derisa të sillen ligjet në fjalë.

“Të gjithë ata që nuk i kanë paguar rrogat në afatin e paraparë ligjor, kanë marrë vërejtje, por do t’i kontaktojmë edhe përmes telefonit me qëllim që të gjejmë zgjidhje adekuate – se si t’i menaxhojnë borxhet e tyre derisa të sillet mbështetja financiare”, shtoi Sanja Llukarevska – Drejtoreshë e DAP.
Lukarevska theksoi se atje ku do të konstatohen keqpërdorime lidhur me mospagimin e rrogave, DAP-i do të veprojë në pajtueshmëri me kompetencat që i ka për pagesë të detyrueshme.