Për një javë u regjistruan 32.752 mërgimtarë

Enti Shtetëror i Statistikave ka njoftuar, se për një javë, në ueb faqen “Census.stat.gov.mk” janë regjistruar 32.750 mërgimtarë të Maqedonisë së Veriut.
Thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me mërgimtarët, me qëllim të tejkalimit të pengesave gjatë procesit të regjistrimit.

Ndërkaq shtojnë, se është zgjidhur problemi me informatën kthyese për kyçje në aplikacion.
“Problemi për mospranim në kohë të mesazhit kthyes për kyçje në aplikacion është tejkaluar dhe aplikacioni është duke punuar pa ndërprerë. Vetëregjistrimi për një person zgjat 10 minuta dhe aspak nuk është i komplikuar. I inkurajojmë dhe motivojmë të shpërngulurit që të ndajnë një kohë të shkurtër dhe të vetëregjistrohen”, thonë nga ESHS-ja, transmeton TV21.

Regjistrimi i diasporës së Maqedonisë së Veriut ka filluar më 1 mars dhe pritet të përfundojë më 21 prill. Ueb faqja për regjistrim është “Census.stat.gov.mk”, ndërkaq për instruksione janë hapur edhe dy linja telefonike që kanë qasje në aplikacionet “Viber” dhe “WhatsApp”, mbajnë numrat si:
+38971483313
+38971483291