Për herë të tretë u shty gjyqi i ripërsëritur për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Sërish është shtyrë gjyqi i ripërsëritur për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, për herë të tretë. Procesi i rigjykimit u rikthye nga Gjykata e Apelit në Gostivar pas seancës publike në prill 2024, pas vendimit fillestar të datës 5 qershor 2023.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së gjykatësit Jordan Velkovski, dhe gjykatësja zëvendësuese caktoi datën e re për 15 janar 2025, në orën 10:00. Përpjekja e parë për rigjykim ishte më 26 qershor të këtij viti, por u shty për më 25 shtator, datë në të cilën seanca gjithashtu nuk u mbajt.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi të ketë rigjykim për ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe për spitalin e Tetovës si ent juridik. Ndërkaq, për doktorin Boban Vuçevski, Gjykata e Apelit në prill 2024 hodhi poshtë ankesën e Prokurorisë dhe konfirmoi vendimin e lirimit për të.