Për herë të parë në Prishtinë, hapet lokali i dedikuar për komunitetin LGBTQI+

Muajin e kaluar, Kuvendi dështoi të miratojë Projekt Kodin Civil, me anë të sëcilit u njihej e drejta e bashkësisë civile çifteve të seksit të njëjtë. Por, kjo nuk ka stepur komunitetin LGBTQI+ të ndërmarrë një hap që nuk është parë më parë në Kosovë.

Ky komunitet, që ndihet shpesh i diskriminuar në Kosovë, ka hapur lokalin e parë të dedikuar vetëm për personat LGBTQI+ në kryeqytetin kosovar. Mbrëmë në Prishtinë, persona të komunitetin LGBTQI+ kanë inaguruar lokalin e ri që frekuentohet nga ky komunitet. Por, merret vesh se pubi i ri do të jetë i hapur jo vetëm për komunitetin LGBTQI+, por edhe për të gjithë përkrahësit e komunitetin, të cilët ofrojnë mbështetje për kauzat e tyre.

Nga dje, Prishtina u është bashkuar kryeqyteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat kohë më parë kanë përuruar hapësira të veçanta për këtë komunitet. Për këtë iniciativë, kanë folur për Nacionale edhe pronarët e lokalit, të cilët për arsye të sigurisë kanë dashur të mbesin anonim.

Sipas tyre, arsyeja e hapjes së pubit të dedikuar enkas për personat LBGTQI+ është ofrimi i një hapësire të sigurt për individët që i përkasin këtij komuniteti. Pra, sipas tyre, kjo hapësirë do t’u garantojë atyre të jenë vetëvetja pa pasur frikë nga paragjykimi apo edhe largimi nga lokali. E në ditën e hapjes së lokalit, atmosfera ishte krejt ndryshe nga kafeteritë e tjera të kryeqytetit.

Nën tingujt e muzikës, shumë persona të komunitetin LBGTI+ përuruan të parin lokal të hapur enkas për ta, duke uruar njëri-tjetrin. Kujtojmë që gjatë muajit mars, të drejtat e komunitetin LBGTI+ nxitën debat të ashpër në Kuvend dhe jo vetëm. I gjithë debati filloi si pasojë e një neni në Projekt Kodin Civil që njihte mundësitë e bashkimit civil ndërmjet sekseve të njëjta.

Për shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, një gjë e tillë ishte e papranueshme. Madje gjatë diskutimeve në Seacën plenare, pati edhe deklarime homofobike, duke i cilësuar të sëmurë të gjithë personat që i përkasin komunitetit LBGTI+. Për arsye të sigurisë, lokacioni i lokalit, emrat e pronarëve dhe pjesëmarrësit në natën e hapjes nuk janë përmendur në tekst. Redaksia e Gazetës Nacionale ka vendosur të ruaj anonimitetin e tyre.