Për dy javë vijnë testet e shpejta në Maqedoni, rezultatet për 15 minuta

Komisioni për sëmundje infektive ka paralajmëruar se së shpejti do të mbërrijnë testet e shpejta për Covid-19, që do të jenë shumë të lira, vetëm 800 denarë dhe që rezultati del për 15 minuta. Me këtë Maqedonia e Veriut është ndër vendet evropiane që do të pajiset me këto testet që janë miratuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarët për këto testime duhet të caktojnë termin përmes linjës telefonike, që do të jetë në dispozicion për të gjithë. Dr.Viktor Isjanovski, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup dhe anëtar i Komisionit për Sëmundje Infektive thotë se janë në bisedime me kompani për tu furnizuar me këto teste.

Ai tha se me to mund të pajisen për 10 deri 15 ditë dhe se pika e testimeve do të jetë Poliklinika në Gjorçe Petrov. Sipas tij, nëse me këtë test del pozitiv, atëherë patjetër duhet të vërtetohet me një test PCR, ndërsa nëse del negative, nuk do të jetë e nevojshme, pasi që vërtetësia është 99%.