Policia arrestoi “pronarin” e bunkerit me armë, i cili u zbulua gjatë hetimit kundër grupit Belanoca/Baron. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin nga Kumanova, Hevzi Sejdiu, i cili sipas burimeve nga hetimi, është djali i Bajrush Sejdiut, bosit të duhanit nga Kumanova, i arrestuar në vitin 2006.
-SPB Shkupi ka zbardhur rastin e armëve që u gjetën nga zyrtarët policorë të SPB Shkupit më 18.12.2024, në territorin e komunës së Haraçinës, pranë rrugës lokale nga fshati Orllanc drejt fshatit Nikushtak, ku u zbuluan nëntë automatikë, një mitraloz dhe një sasi e madhe municionesh. Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse dhe kryerjes së analizave forenzike në Departamentin për Hetime Forenzike, u konstatua se armët i përkasin H.S. (29) nga Kumanova, njoftoi policia.
Gjatë hetimeve, janë zbuluar gjurmë të ADN-së së Sejdiut në armë, thotë burimi i TV Telma. Ai u arrestua dje në pikën kufitare me Kosovën.
Më 29.12.2024, H.S. u privua nga liria në pikën kufitare të Bllacë e Poshtme, ndërsa Njësia për Tregti të Palejuar pranë SPB Shkup ngriti kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar, dhe më 30.12.2024, një gjyqtar i procedurës paraprake i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, njoftoi MPB.
Kur u zbulua arsenali i armëve, MPB fillimisht e lidhi atë me një bunker të grupit Belanoca/Baron, kundër të cilëve ishte kryer operacioni “Bunkeri” rreth 15 ditë më parë. Për shkak të dyshimeve për zbulimin e informacioneve ndaj anëtarëve të grupit, në polici ishte ftuar djali i ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Bushi.