Për 4 muaj do bëhej baba/ Futbollisti 27-vjeçar ndërron jetë në mes të ndeshjes


Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një futbollist vetëm 27 vjeç ka humbur jetën nga një sulm në zemër.

Dimitri Roveri, i cili aktivizohej në kategoritë amatore me skuadrën e Kuingentoles ka pësuar atak kardiak gjatë ndeshjes ndaj Kazalpoljos.

27-vjeçari ra në tokë gjatë kohës që po luhej ndeshja, ndërsa u dërgua me nxitim për në spitalin “San Raffaele” të Milanos, por pa mundur t’ia dalë. Roveri, i cili ishte dhe kapiten i skuadrës së Kuingentoles u rrëzua në tokë dhe nuk rifitoi kurrë vetëdijen.

Ai jetonte në Kuingentole dhe ishte i fejuar. Javën e kaluar ai njoftoi se do të bëhej baba në muajin shtator. 27-vjeçari gjithashtu punonte si kopshtar dhe pastrues në një shtëpi të moshuarish në Mantova.