Për 35.5% rritet numri i infektimeve në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se sipas raportit të Institutit për shëndet publik, i cili ka të bëjë me periudhën prej 28 shtator deri më 4 tetor, janë testuar gjithsej 9.832 materiale në laboratoritë në të cilat zbatohet testimi molekular për prani të SARS-CoV-2, gjithsej 1,5 për qind më shumë në krahasim me javën e kaluar.

Janë regjistruar 1.203 raste të reja pozitive nga 31 qytete në shtet, që paraqet rritje prej 35,5 për qind në krahasim me javën e kaluar. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, ndërsa incidenca më e lartë javore është regjistruar në Berovë. Përqindja e rasteve pozitive nga ato të testuar në këtë periudhë arrin 12,2 për qind ose tre për qind më shumë në krahasim me javën paraprake.

Janë regjistruar persona të sëmurë në të gjitha grupet madhore. Më i përfaqësuar është grupi i personave të moshës mbi 60 vjet. Në krahasim me javën e kaluar, rritje më e madhe e numrit të rasteve të reja të regjistruara shënohet te grupet madhore prej 20-29 vjet dhe prej 30-39 vjet, për 60 për qind gjegjësisht 46,1 për qind. Nga numri i tërësishëm i rasteve të reja në periudhën prej 28 shtatorit deri më 4 tetor, 403 (37,6 për qind) kanë kontakt me ndonjë rast të konfirmuar. Janë regjistruar 32 (tre për qind) persona me histori të udhëtimit në 14 ditët e fundit.

Pas dy testeve negative për prani të SARS-CoV-2 ose me përdorim të algoritmit të ri, si të shëruar udhëhiqen 786 persona të cilët ishin hospitalizuar ose në shërim shtëpiak, që paraqet rritje prej 10 për qind në krahasim me javën paraprake.

Janë paraqitur 30 raste të vdekjes, 7,1 për qind më shumë në krahasim me javën paraprake. Në lidhje me moshën, 24 persona ishin të moshës mbi 60 vjet, ndërsa gjashtë persona të moshës prej 50-59 vjet. Njëzet e nëntë të rasteve ishin hospitalizuar, ndërsa vetëm një person nga të vdekurit nuk ishte hospitalizuar. Kormobiditete janë regjistruar te 20 persona të vdekur.