Për 2 vite Thaçi i ka falur 37 të dënuar!

Presidentit Hashim Thaçi më së shumti po del të ia kenë parë hairin të burgosurit. Vetëm këtë vit, ai u ka falur 21 të burgosurve disa vite burgim. Në mesin e personave që Thaçi ka falur, ka edhe vrasës. Madje, një prej të falurve është edhe dhëndri i familjes Thaçi. Më së shumti të burgosur po del të jenë falur nga Jakup Krasniqi, e më së paku nga Atifete Jahjaga. Krasniqi kishte falur liri për 103 persona të dënuar. Ndërkohë, që vetëm këtë vit falje kanë kërkuar 748 të dënuar, shkruan Gazeta Express.

Hasan Rraci është një prej të burgosurve në Burgun e Dubravës, i cili është në vuajtje të dënimit për dy vrasje.

Ai në vitin 2008, kishte vrarë vajzën e tij 15 vjeçare. Arsye për vrasjen e të bijës ishte dyshimi i tij se ajo kishte lidhje dashurie me kushëririn e largët të tij Mensur Rracin. Për këtë vepër Rraci ishte dënuar me vetëm dy vite burg.

Çuditërisht ai nuk e kishte vuajtur gjithë dënimin e shqiptuar nga Gjykata, duke kaluar kështu vetëm gjashtë muaj në burg.

Ditën që kishte dal nga burgu kishte vrarë në mes të qytetit të Klinës kushëririn e tij 21 vjeçar, Mensur Racin. Gjykata për krimin e dytë ia shqiptoi atij 19 vite burg.

Por, këtë vit, atij iu shkurtua dënimi për tri vite nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin po del të ketë edhe lidhje familjare.

Ai është bashkëshorti i vajzës së tij të axhës, Halime Rracit. Ndërkohë, që Halimja është motra e truprojës së Thaçit, Hisni Thaçit, i dënuar për krime të luftës në rastin Drenica.

Por, përveç familjarëve, Thaçi u fali dënime edhe disa prej të burgosurve të tjerë që ishin të dënuar për vrasje e tentim vrasje. Katër nga shtatë të burgosurit që kishte falur Presidenti, për 10’të vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, janë në burg për vepra të tilla.

E këta nuk janë të vetmit që kanë përfituar falje të dënimit nga Presidenti.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kanë deklaruar se vetëm këtë vit u është falur dënimi 21 të burgosurve.

Zëdhënësi i SHKK’së, Jeton Kabashi ka thënë se shtatë prej tyre janë falur për nder të 10’të vjetorit të Pavarësisë.

Derisa thotë se numri i të burgosurve që janë falur në dy vitet e fundit shkon në 37.

“Të burgosurve që i’u është falur dënimi këtë vit janë 21. Me dekretin e Presidentit të datës 16.02.2018 janë falur 7 të dënuar. Me dekretin e Presidentit të datës 11.04.2018 janë falur 14 të dënuar”, ka thënë Kabashi.

Ndërkohë, edhe numri i të burgosurve që kanë falje të dënimit po del të jetë kogja i madh. Kabashi ka deklaruar se nga janari e deri me tani kanë kërkuar faljen e dënimit 748 të dënuar .

Presidenti i vendit sipas kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta. Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti-dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.

Ndryshe, më së shumti të burgosur ka falur Jakup Krasniqi, të cilin viti 2011, e gjeti në postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Krasniqi kishte falur lirinë për 103 persona të dënuar. Shumë më pak se Krasniqi kishte falur Sejdiu në vitin 2010. Gjatë këtij viti ai kishte falur vetëm 62 të dënuar.

Ndërsa, më zemër shtrënguar për këtë çështje ishte treguar ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo në vitin 2015 dhe 2016 nuk e kishte falur asnjë të burgosur. Derisa në vitin 2014, me vendim të saj ishin falur vetëm 2 prej të burgosurve nga 515 sa kishin kërkuar.

© ZËRI.INFO