Shumica e pensionistëve në Maqedoninë e Veriut pranojnë pensione që janë afër 15 mijë denarë apo 250 euro. Të dhënat tregojnë se nga afër 330 mijë pensionistë, në muajin maj, çdo i treti ka pasur pension më të lartë se 18 mijë denarë. Njëherësh 28% e pensionistëve pranojnë pensione deri 11 mijë denarë. Në dy grupet tjera bëjnë pjesë pensionistët që me nga 21% kanë pensione prej nga 14 mijë deri 18 mijë denarë, apo edhe grupi tjetër po me afër 21% prej 11.500 deri 14 mijë denarë. Në pritje të rritjes së sërishme të pensioneve, një pjesë e madhe e pensionistëve kanë të ardhura mujore me të cilat mezi mbijetojnë muajin.
Nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale thonë se me metodologjinë e re që përfshin harmonizimin me rritjen e 50% të harxhimeve të jetesës dhe 50% të rritjes së pagës mesatare, dhe me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për sigurim pensional po mundësohet rritje e vazhdueshme e pensioneve që do të rriten dy herë në vit, apo në muajin mars dhe shtator. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, kohë më parë theksoi se me amendamentet e fundit të Ligjit të sigurimit pensional dhe invalidor, i cili hyri në fuqi në mars të vitit 2022, po realizohet një mënyrë e re e harmonizimit të pensioneve.
“Rritja e pensioneve realizohet përmes futjes së metodologjisë së re për harmonizimin e pensioneve, dhe është një ndër masat e para që i kemi zbatuar në 100 ditët e para të mandatit të kësaj Qeverie”, shton Trençevska. Ministrja informoi pensionistët se sipas analizave të marra nga Ministria e Financave, harmonizimi sipas ndryshimeve të ligjit do të kontribuojë në rritjen e pensioneve për të paktën 6%. Nga ky dikaster thonë se nëse pensioni mesatar i cili aktualisht është 16.300 denarë, me këtë rregullim pensioni do të rritej për rreth 1000 denarë.
Para disa muajsh, VMRO-DPMNE-ja opozitare dorëzoi në Parlament një projektligj që parashikonte rritje të pensioneve për 20%. Për shkak të rritjes së çmimeve dhe rritjes së pagës minimale, duhet të rriten edhe pensionet, në mënyrë që pensionistët t’i mbulojnë shpenzimet elementare të jetesës, theksoi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Ai, megjithatë, ka pranuar se nuk kanë një kalkulim të plotë se sa do t’i kushtojë kjo buxhetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski e vlerësoi si paushall, propozimin e VMRO-DPMNE-së, sepse siç theksoi, ai nuk bazohet në asnjë analizë dhe metodologji. Nga Partia e Pensionistëve thonë është nismë e tyre, që pensionet përskaj me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, të rriten edhe në bazë të rritjes së pagës mesatare në vend.
“Ne kemi kërkuar që pensioni minimal të jetë 70% i pagës minimale, ndërsa pensioni mesatar të jetë 60% i pagës mesatare në shtet. Njëherësh pensionet nuk duhet të harmonizohen me pagën minimale, por me harxhimet e jetesës dhe me pagën mesatare”, thonë nga Partia e Pensionistëve.
Vetëm për pagesën e pensioneve shpenzohen rreth 1 miliard euro në vit. Gjysma e këtyre parave mblidhet nga kontributet e sigurimit pensional të punonjësve dhe rreth 500 milionë euro vijnë nga buxheti i shtetit. Nëse pensionet do të rriteshin me 20%, kjo do të nënkuptonte që edhe 200 milionë euro të tjera në vit nga buxheti. Njëherësh afër 500 milionë euro shpenzohen nga arka e shtetit për paga dhe kompensime në sektorin publik. Kjo do të thotë se rreth 1 miliard euro, apo mbi 30% e buxhetit të shtetit shkon për paga dhe pensione.
Në ndërkohë, Instituti ekonomik Finance Think vlerëson se kjo përshtatje është korrekte, përkundër deklaratave paraprake për rritjet më të mëdha historike, dhe atë për dy arsye. Nën një, kjo rritje e paralajmëruar nuk prish rrugën e stabilizimit të Fondit Pensional që filloi pas vitit 2019, dhe nën dy, ajo siguron një ruajtje të kënaqshme të standardit të jetesës së pensionistëve. Megjithatë, Finance Think thekson se Formula e harmonizimit 50:50 që propozohet tani është e njëjta formulë që ekzistonte në Ligjin referencë deri në vitin 2018, prandaj ajo nuk është një risi në sistemin e financimit të pensioneve.
Me ndryshimet në ligjin referues në dhjetor 2019, u vendos një dispozitë sipas së cilës në rast të rritjes së pagës minimale më të madhe se 15% dhe pagës mesatare më të madhe se 5%, mund të realizohet harmonizimi shtesë i pensioneve në një përqindje jo më të lartë se rritja mesatare e pagës. Duke marrë parasysh se rritja e pagës mesatare në vitet e kaluara e tejkalonte shifrën prej 5% ky qëndrim mundësoi harmonizim adekuat të pensioneve edhe me rritjen e pagës mesatare.
Andaj, ndryshimi i propozuar është vetëm një riformulim i zgjidhjes së financimit të pensioneve që është aktualisht në fuqi. Njëherësh shuma tremujore prej 3.000 denarë në total është lineare për të gjithë pensionistët, pa marrë parasysh lartësinë e pensionit. Përkundër asaj se rritja e dedikuar është e justifikueshme, për të zbutur pasojat negative të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve, megjithatë ajo është ende një rritje ad-hok dhe çdo rritje e tillë e dedikuar në të ardhmen duhet të racionalizohet vetëm për përfituesit e pensioneve më të ulëta.
Fondi Pensional është i varur nga buxhetit qendror. Vartësia arriti kulmin në vitin 2017, kur 43% e totalit të shpenzimeve për pensionet mbuloheshin nga buxheti qendror. Nga viti 2018, deficiti filloi të ulet si rezultat i respektimit të rregullit për rritjen e pensioneve sipas kritereve të përcaktuara me ligj, dhe nga viti 2019 si rezultat i reformës që ndryshoi shkallët e kontributeve sociale dhe shkallët e zëvendësimit.
Harmonizimi i pensioneve është i rëndësishëm për ruajtjen e standardit të jetesës së pensionistëve dhe ai duhet të përcaktohet nga parametra jetikë ekonomikë si lëvizjet e çmimeve, pagat dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto. Megjithatë, çdo rritje ad-hok e pensioneve jashtë parametrave ekonomikë paraqet rrezik që gropa në sistemin e pensioneve të rritet me shkallë të paqëndrueshme.
Nëse politika e rritjes së madhe të pensioneve ad-hok do të vazhdonte jashtë harmonizimit ligjor pas vitit 2017 , deficiti do të vazhdonte të rritej. Apo me fjalë të tjera, do të vazhdonte të rritej vartësia e Fondit Pensional nga arka e shtetit, me tendencë që çdo i dyti pensionist të financohet nga tatimimi i përgjithshëm dhe jo nga kontributet e paguara të pensionit, konstaton analiza e Finance Think. /Koha.mk/