Pensioni zviceran jo aq i lartë, jo aq sa mendohet apo thuhet disa herë!


1’225 franga është minimumi i pensionit për një person, kurse maksimumi 2’450 franga, ndërsa 3’675 franga për pensionistët e martuar.

Shuma këto jo aq të larta, në krahasim me atë që mendohet nganjëherë ! Bile as të mjaftueshme për me siguruar një minimum jetik, marrë parasysh koston e jetesës në këtë shtet.

Pensioni maksimal mund të arrihet vetëm atëherë kur kontributet janë paguar pandërprerë (brenda 44 ose 43 viteve), dhe të ardhurat vjetore mesatare i kanë tejkaluar 88’200 franga. Raste jo aq të shpeshta këto!

Personat që kanë paguar gjithashtu kontribute pandërprerë, mirëpo të ardhurat e tyre mesatare nuk i kanë tejkaluar 14’700 franga, atëherë atyre iu takon renta e pensionit minimal.

Ndonëse Zvicra jep imazhin e një vendi të pasur, kjo nuk vlen pra edhe për « pasurinë » e vlerës së një pensioni mujor që akordohet në moshën e pleqërisë.

Llogaritë e përmendura aplikohen për pensionin bazë sipas rregullave të Shtyllës së parë – Sigurimi i pleqërisë dhe për të mbijetuarit.

Për me shpresuar një pension më të lartë, duhet analizuar se çfarë kontributesh tjera kemi paguar apo çfarë kapitali posedojmë në dy shtyllat tjera zvicerane të pensionimit, siç janë Shtylla e dytë – Arka e pensionimit dhe Shtylla e tretë – Sigurimet private të pensionimit.

Pagesa e kontributeve në shtyllën e dytë, e cila në shumicën dërmuese të rasteve është e detyrueshme, natyrisht se mundëson që të realizohet një pension më i lartë.

Mirëpo, tepër e më tepër, është shtuar numri i personave që i tërheqin para kohe kontributet e paguara, sidomos për me investuar në blerjen e një banese apo për hapjen e një biznesi. Kjo ka si pasojë që niveli i shumës së parave të mbetura në arkën përkatëse të zvogëlohet nganjëherë në mënyrë drastike.

Edhe nëse nuk bëhet tërheqja e parakohshme e kontributeve, ndodh shpeshherë që edhe shuma a pagesave të bëra përmes shtyllës së dytë, edhe kjo të mos mjaftoj për me siguruar të ardhura të mjaftueshme në moshën e pensionimit.

Përndryshe, është konstatuar se edhe pagesa e kontributeve në shtyllën e tretë, e cila nuk është e detyrueshme, është një instrument shtesë për me e kompletuar pensionin. Mirëpo, kërkohet natyrisht me pasur një kapacitet të mjaftueshëm financiar për me kursyer dhe me i paguar këto kontribute para daljes në pension.

Nëse një individë duhet të jetojë vetëm me një pension bazik, përfshirë këtu edhe të ardhurat nga të dy shtyllat tjera të pensionimit, të cilat nuk do të kishin mjaftuar, shteti parashikon ndihma shtesë për këto raste, kurse rregullat që aplikohen përputhen deri diku me ato të ndihmave sociale që kanë të bëjnë me minimumin jetësor.

Po pra, është krejtësisht e mundshme që edhe pse dikush ka punuar gati se tërë jetën e tij në Zvicër, prapëseprapë mund t’i ndodhë që në moshën e pensionimit të jetë i detyruar t’iu drejtohet shërbimeve të shtetit për me kërkuar ndihmë!

Një formë interpretimi mundëson me e kuptuar atë se politika sociale zvicerane e pensionimit bazohet në rregulla të cilat dëshmojnë marrjen mbi sipër të përgjegjësive shtetërore që të akordohet një mbështetje financiare në moshën e pleqërisë.

Ndërkohë, tregohet qartë edhe vullneti i shtetit që t’i sensibilizojë individët për nevojat e dhënies së kontributit të tyre personal dhe plotësues financiar për sigurimin e të ardhurave për një jetë sa më dinjitoze dhe komode në moshën e pensionimit.

Krejtësisht ndryshe do të prezantohej situata nëse një i pensionuar që ka punuar në Zvicër, vendos që pensionin ta realizoi në vendin e origjinës, përmes së drejtës që e lejon që renta e pensionit të “eksportohet” jashtë territorit zviceran. Atëherë është e vërtetë se pensioni zviceran do të dukej i lartë!

Lirim Begzati, ekspert juridik, Neuchâtel (Zvicër)