Pendarovski zhvilloi bisedë telefonike me Papa Françesko, theksohen marrëdhëniet e mira bilaterale

Presidenti Stevo Pendarovski sot realizoi bisedë telefonike me kreun e Kishës Katolike, papa Françeskun, me çka shprehu keqardhje që për shkak të pandemisë së KOVID-19 nuk e realizoi vizitën e tij në Vatikan me rastin e festimit të 24 Majit – Ditës së Iluministëve Mbarësllavë Shën Cirili dhe Metodi dhe nuk ishte realizuar takimi me Shenjtërinë e Tij.

Siç bëri të ditur Kabineti i shefit të shtetit, në bisedën telefonike ishin shkëmbyer mendime për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale mes vendit dhe Vatikanit, të cilat janë miqësore dhe bazohen në lidhje të rëndësishme historike, vlera dhe tradita shpirtërore dhe kulturore.

“Duke e theksuar rëndësinë historike të vizitës gjatë vitit të kaluar të Papa Françeskut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, presidenti Pendarovski theksoi interesin e shtetit tonë për thellimin e lidhjeve me Selinë e Shenjtë në të gjitha sferat me interes të përbashkët. Në këtë kontekst presidenti Pendarovski e theksoi kontributin e bashkësisë katolike në Maqedoninë e Veriut si në ndërtimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, ashtu edhe me marrëdhëniet gjithëpërfshirëse ndër religjioze në vend”, bëhet e ditur në kumtesë.

Mes tjerash, dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer edhe informacione për gjendjen aktuale në lidhje me pandeminë e KOVID-19.

Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për rolin e papa Françeskut në inkurajimin e njerëzve dhe nacionaliteteve dhe nxitjen e solidaritetit si element kyç për luftë të përbashkët kundër pandemisë dhe pasojat nga ajo. Presidenti Pendarovski e theksoi edhe kontributin e madh të Shenjtërisë së Tij për çështjet globale të cilat na interesojnë të gjithëve, siç janë paqja, lufta kundër varfërisë, veprimi human me refugjatët dhe emigrantët, ndryshimet klimatike dhe mjedisin jetësor, shtohet në kumtesë.