Pendarovski: “Zaev e di që nga fillimi qëndrimin tim për “Ballkanin e Hapur””

Qëndrimi i presidentit Stevo Pendarovski në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur” ka qenë konsistent që nga fillimi, të cilin presidenti ia ka përcjellë personalisht kryeministrit Zoran Zaev pas takimit fillestar në Novi Sad kur u promovua nisma, thonë nga Kabineti i Presidentit si reagim ndaj deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev.

Nga Kabineti theksojnë se konkluzioni unanim për nismën “Ballkani i Hapur”, i rënë dakord nga të gjitha subjektet politike në atë takim lidershipi ishte se vendi ynë nuk ka alternativë në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE dhe se nëse nisma “Ballkani i Hapur” ka një karakter të tillë, nuk është e pranueshme për asnjë subjekt politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Presidenti Pendarovski asnjëherë nuk ka qenë kundër forcimit të proceseve ekonomike, lehtësimit të procedurave doganore, qarkullimit të lirë të njerëzve dhe kapitalit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por fakti që gjysma e vendeve të rajonit nuk janë pjesë e nismës për Ballkanin e Hapur e kufizon objektivisht potencialin e saj.

Presidenti Pendarovski asnjëherë nuk ka bërë ndonjë deklaratë apo akt apo vendim që do të ishte kundër miqësisë së popujve në rajon dhe kundër perspektivës së tyre në BE. Fatkeqësisht, shumë politikanë të tjerë në rajon po veprojnë në drejtim të kundërt”, thuhet në reagim.
Zaev sot tha se është befasuar nga presidenti Stevo Pendarovski, i cili dje nga Kosova tha se iniciativa “Ballkani i Hapur” është me të meta.