Pendarovski: Vendim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme vetëm nëse partitë dakordohen për zgjedhjet

Pas thirrjes së liderit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski për t’u shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme në territorin e gjithë shtetit, nga kabineti i shefit të shtetit, Stevo Pendarovski u përgjigjën se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse ka marrëveshje midis partive për datën e zgjedhjeve.

“Qëndrimi i presidentit Stevo Pendarovski është i njohur për opinionin. Presidenti është i gatshëm të sjellë vendim të ri për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e të gjithë shtetit vetëm nëse paraprakisht arrihet marrëveshje ndërpartiake e të gjitha subjekteve politike për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të krijimit të kornizës juridike për organizimin dhe zbatimin e tyre të papenguar”, thonë nga kabineti për MIA-n.

Mickoski në pres konferencën e sotme i bëri thirrje presidentit Pendarovski ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme, duke theksuar se partia i ka dy kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet – përgatitjen e protokolleve për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe kushte për zgjedhje inkluzive korrekte dhe demokratike ndërsa kjo është sistemimi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.

“Kjo nënkupton se ditën e parë pasi të arrijë misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR në Maqedoni menjëherë pasi ta mbajnë konferencën për media ditën e ardhshme do të jetë dita e parë e fushatës sonë dhe që nga ajo ditë e parë ta përcaktojmë datën kur do të mbahen këto zgjedhje”, tha Mickoski, sipas të cilit data e parë e mundshme është mesi i muajit korrik.

Mbrëmë në mesnatë përfundoi gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa pasi liderët e dy partive më të mëdha në shtet ajo në pushtet LSDM dhe partia opozitare VMRO-DPMNE, Zoran Zaev dhe Hristian Mickoskit pardje në Vilën Vodno nuk arritën marrëveshje për datën e zgjedhjeve, vazhdojnë të vijojnë aktivitetet për zgjedhje më 5 korrik. Fushata do të fillojë më 16 qershor.