Pendarovski: Unë jam ndërmjetësues në procesin për përcaktimin e datës së re për zgjedhje

Data për zgjedhje nuk është puna ime, unë jam thjesht ndërmjetësues në atë proces. Qëllimi është të arrihet konsensus, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke njoftuar se bisedimet për datë konkrete për votim pritet të hapen në takimin e dytë të paralajmëruar të liderëve në fillim të javës tjetër.

“Nisem nga interesi i shtetit, dhe kjo do të thotë që të kemi zgjedhje të ndershme dhe demokratike të nevojshme për procesin e integrimit evropian”, tha Pendarovski.

Në intervistë për TV24, Pendarovski tha se qëndrimet e liderëve politikë në lidhje me datën e zgjedhjeve janë shumë të ndryshme.

Kreu i shtetit edhe një herë, përsëriti se shpallja e sotshme e gjendjes së jashtëzakonshme 14-ditore nuk është e lidhur me zgjedhjet. Nëse gjendja e jashtëzakonshme nuk vazhdon, pasi nuk ka Kuvend, Qeveria, siç shpjegoi ai, nuk mund të bëjë pagesa për të zbutur dëmin ekonomik nga Kovid-19. Kreu i shtetit tha se tani për tani nuk dihet nëse gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë pas këtyre 14 ditëve dhe se kjo do të varet nga gjendja shëndetësore.