Shtypja e parave absolutisht nuk është opsion në këtë moment, ne jemi larg mendimeve për skenarë katastrofal, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski në takimin e Këshillit të Sigurimit, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse njëra prej masave ekonomike është edhe shtypja e parave, sipas yrnekut të disa shteteve.
“Në takimin e Këshillit të Sigurimit ishte edhe guvernatorja e Bankës Popullore dhe sipas asaj që e prezantoi, ne nuk jemi ideal në pjesën ekonomike, meqë pandeMEDIAL e merr haraçin e saj, por jemi larg të menduarit për skenarë katastrofal. Shtypja e parave nuk do të duhej të jetë variant në asnjë situatë, meqë kur do të kalojë e gjitha situata e krizës do të shkaktojë reperkusione edhe më të mëdha negative edhe për ekonominë tonë kombëtare”, tha Pendarovski.
Sipas tij, edhe shtete të tjera në këtë moment nuk janë të gatshme për ta zbatuar këtë, duke marrë parasysh ekonomitë më të mëdha në botë, e jo si e jona, e cila, siç u shpreh, është e varur nga tendencat globale ekonomike.
Pendarovski theksoi edhe se është dakord me setin e fundit të masave të publikuar paraprakisht nga Qeveria, me të cilin të gjithë funksionarëve, duke filluar prej tij e deri te funksionari i fundit në nivel lokal do të marrin pagë minimale prej 14.500 denarëve.
“Ne në muajt e ardhshëm do të marrim pagë minimale prej 14.500 denarëve. E mbështes absolutisht këtë masë meqë mendoj se është e shpërndarje e drejtë e barrës së krizës. Nuk ishte e mirë masa që paraprakisht qarkullonte dhe i ishte propozuar Qeverisë, që të gjithë nga funksionari më i lartë në shtet e deri te i punësuari i fundit në administratën publike pavarësisht nga të ardhurat e tij personale të jenë të ngarkuar në mënyrë të njëjtë, gjegjësisht të gjithë të marrin pagë minimale. Pra, nuk jam dakord me atë masë se të gjithë në administratë duhet të marrin 14.500 denarë, por konsideroj se është e mirë masa që ne që kemi paga shumë më të larta se mesatarja republikane të bartim barrën më të madhe, në këtë drejtim edhe të punohet për pagë minimale prej 14.500 denarë në muajin e ardhshëm, dy muaj dhe sado që të jetë e domosdoshme edhe më tutje kuptohet”, tha presidenti.
Në pyetjen nëse mendon të heq dorë tërësisht nga paga gjatë pandemisë, u përgjigj pozitivisht se nëse Qeveria propozon masë të tillë, ai do të jetë i parë i cili do ta mbështesë.
Pendarovski gjithashtu vlerësoi se në këtë moment nuk ka nevojë për vendosjen e masave më rigoroze lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve tanë, duke bërë të ditur se është vlerësuar se me këtë nivel të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve janë duke u arritur efekte të kënaqshme.
“Sipas të dhënave komparative statistikore, vendi ynë në raport me ata që janë infektuar deri tani, të vdekurit dhe ata që janë testuar deri tani, nuk është nën nivelin e vendeve anëtare të BE-së, e në disa prej këtyre indikatorëve statistikorë është edhe më përpara në kuptimin pozitiv sesa vendet e rajonit tonë”, theksoi Pendarovski.
Në pyetjen nëse mendohet që pas përfundimit të 30 ditëve të para gjendja e jashtëzakonshme të zëvendësohet me gjendje të krizës në territorin e gjithë shtetit, tha se nuk mendohet për këtë.
“Jo, këtë dilemë e tejkaluam herën e kaluar në seancat paraprake të Këshillit të Sigurimit kur debatohej nëse është e domosdoshme të vendoset gjendje e krizës në tërë territorin ose gjendje e krizës në disa komuna prej atyre që deri në atë moment ishin përfshirë. Kryesisht mendohet se nuk nevojitet vendosje e situatës së krizës në gjithë territorin, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nuk përjashtohet, por para së gjithash dhe mbi të gjitha për shkak të indikatorëve ekonomik të cilët tregonin përkeqësim të përnjëhershëm ose mundësi për përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes ekonomike në periudhën e ardhme nëse gjendja e këtillë vazhdon”, tha Pendarovski.
Lidhur me respiratorët e paralajmëruar nga Kina dhe furnizimi i respiratorëve të tjerë, Pendarovski tha se aty ka problem.
“Unë nuk prita seancë të Këshillit të Sigurimit, e di problemin prej para disa javëve. Fatkeqësisht, Turqia jonë mike për arsye të panjohura vendosi embargo për çfarëdo eksporti të respiratorëve ndonëse ky ishte donacion norvegjez që praktikisht ishte para vetë realizimit, unë jam në komunikim ditor me Kabinetin e presidentit turk, kuptohet edhe të gjithë përfaqësuesit tjerë nga Qeveria sipas vijës së tyre, deri në këtë moment nuk kemi zgjidhje për këtë problem. Unë shpresoj se do ta gjejmë. Natyrisht se do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike për të zhbllokuar këtë ndihmë që për ne është e madhe ndonëse ndoshta për Turqinë dhe për ndonjë shtet tjetër më të madh nuk është aq e madhe. Për ne është e rëndësishme dhe shpresojë se do të hasim në mirëkuptim te partnerët dhe miqtë tanë turq”, tha presidenti Pendarovski.
Seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit u mbajt në përbërje të zgjeruar. Presidenti Pendarovski më 18 mars, me propozim të Qeverisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme 30 ditëshe në shtet për shkak të përballjes më efikase me korona virusin, ndërsa gjatë kësaj periudhe Qeveria duhet të parashtrojë raporte për efektet nga masat e miratuara për mbrojtje kundër korona virusit, aktivitetet e ndërmarra dhe planet për veprim në të ardhmen.