Pendarovski priti Tasevskin në Presidencë: Mbështetje në angazhimin për mbajtjen e nivelit të profesionalizimit, të zbardhet incidenti në M-NAV

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur kryetarin e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve, Aleksandar Tasevski. Pendarovski thotë se mbështet Sindikatën në kërkesat për mbajtje të nivelit të profesionalizmit në M-NAV, ndërsa thekson se shpreson që të zbardhet incidenti në këtë institucion.

“Në takimin me përfaqësuesit e Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, edhe një herë shpreha mbështetjen time për angazhimin e tyre për ruajtjen e nivelit profesional në funksionimin e M-NAV. Pres që incidenti i fundit të zbardhet deri në fund, duke pasur parasysh se ky institucion është pjesë e infrastrukturës kritike në vend dhe se bëhet fjalë për kërcënim potencial për sigurinë e trafikut ajror ndërkombëtar”, shton Pendarovski në njoftimin e tij.