Pendarovski planifikon të vaksinohet kundër COVID-19

Presidenti Stevo Pendarovski deklaroi se planifikon të vaksinohet kundër Kovid-19, sa të bëhet vaksina e qasshme dhe i kalon të gjitha testimet.

“Absolutisht po. Unë asnjëherë nuk kam qenë kundër vaksinave. Nëse shkenca në atë pjesë ka penguar ose çrrënjosur shumë sëmundje, flas për 100 vjet më herët, nuk ka shkak të mos besojmë në mendjet më të mëdha botërore, të cilët kanë marrë edhe çmime Nobel për këtë punë. Kuptohet, flas për vaksinë, e cila do t’i kalojë të gjitha testimet, të gjitha atestimet dhe do të marrë në fund licencë te shtetet. Nuk mund të besoj se në Bashkimin Evropian, në një Gjermani, vaksinat të cilat do të jenë në përdorim, do të jenë përgjysmë të testuara dhe do të bëjmë eksperimente me njerëzit”, deklaroi Pendarovski në intervistë për Kanal 5.

Nga njohuritë që i ka, presidenti shpreson se deri nga fundi i vitit do të ketë vaksinë, të cilën mund ta kenë, para së gjithash kategoritë e prekshme, të sëmurit, fëmijët, pensionistët, punonjësit mjekësorë, ata të cilët janë në linjën e parë të rezistencës, që të mund gjendja e shkaktuar nga pandemia të kthehet tërësisht në normalitet.