Pendarovski demanton Sulejman Rexhepin: U zgjodha në mënyrë legjitime

Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mohon plotësisht deklaratën e ish-kryetarit të Bashkësisë fetare islame Sulejman Rexhepi, të dhënë në emisionin “Klik Plus në TV21.

“Presidenti Stevo Pendarovski, as para, e as pas zgjedhjeve, nuk ka komunikuar në mënyrë direkte apo indirekte me kryetarin e atëhershëm të BFI-së, Sulejman Rexhepit. Deklaratat e tij janë vetëm gënjeshtra dhe trillime”, thuhet në reagimin e Kabinetit të presidentit Pendarovski.

Nga aty shtojnë se presidenti Pendarovski u zgjodh në një mënyrë legjitime dhe ligjore, në zgjedhje të lira dhe demokratike, gjë që konfirmohet në të gjitha raportet e OSBE/ODIHR.

“Ne i konsiderojmë deklarata të tilla nga Sulejman Rexhepi si jashtëzakonisht joserioze dhe të papërshtatshme, duke pasur parasysh rolin e tij të mëparshëm në Bashkësinë fetare islame”.

Mbrëmë në emisionin Click plus Sulejman Rexhepi – ish- kryetar i BFI-së deklaroi se përfaqësues të LSDM e BDI më kanë lutur për apel për mbështetje të Stevo Pendarovskit për President.