Peletat e dyshimta, me materiale të rrezikshme

Sa janë cilësore peletat që shiten në tregun vendor? Mediat jo zyrtarisht mësojnë se në institucionet kompetente në vend janë ngritur dyshime rreth cilësisë së peletave.

Burime të mediave thonë se kanë indikacione të forta për të dyshuar se disa nga peletat në tregun vendor mund të përmbajnë materiale që pas djegies lëshojnë në ajër grimca kancerogjene. Përgjegjësia për të kontrolluar nëse biokarburantet e ngurta për ngrohje i plotësojnë ose jo standardet e përcaktuara në Listën e Sigurisë, bien mbi Inspektoratin e Tregut.

Megjithatë, nga ky inspektorat thonë se deri tani nuk janë bërë kontrolle rreth cilësisë së peletave. Madje në vendin tonë nuk ka as laborator për analizë të tillë.

“Aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë laborator që plotëson tërësisht kërkesat për testimin e peletit në përputhje me të gjitha karakteristikat e përcaktuara. Ka një laborator që ka pajisje që mund të vërtetojë disa nga karakteristikat e peletit, por nuk i mbulon të gjitha kërkesat. Inspektorati Shtetëror i Tregut, në periudhën e ardhshme do të intensifikojë mbikëqyrjen e këtij lloji të produkteve, si me prodhuesit ashtu edhe me importuesit, në përputhje me kompetencat e tyre”, tha Inspektorati i Tregut.

Nga Inspektorati thonë se standardet e përcaktuara në Listën e standardeve për sigurinë e përgjithshme të biokarburanteve të ngurta për ngrohje janë të detyrueshme për prodhuesit dhe importuesit. Numri i kompanive vendore që merren me prodhimin e peletave është i vogël.

Të njëjtat arrijnë të plotësojnë një përqindje të ulët të nevojave të tregut vendor, andaj vendi ynë sasinë më të madhe e importon nga vendet si Serbia, Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina, Kosova.
Gjatë blerjes së peletave qytetarët duhet t’i kushtojnë vëmendje paketimit ku duhet të jetë e stampuar edhe cilësia A1, A1 premium dhe B, ndërkohë që institucionet hedhin hapat e nevojshëm për të vërtetuar nëse peletat janë në të vërtet të asaj cilësie që figuron në paketim