Pele është një legjendë. Braziliani nuk po kalon një moment të mirë shëndetësor dhe momentalisht po qëndron në shtëpi, edhe për t’i shmangur prekjes nga Coronavirusi. Ish-futbollisti zor se do të përballonte diçka të tillë, ndaj edhe ky është vendimi më i mirë për të.
Ndërkohë, së fundmi Abola ka publikuar një intervistë që Pele e ka dhënë në një kanal në “Youtube” dhe si zakonisht nuk kanë munguar pyetjet për më të mirët në botën e futbollit, sot dhe në të gjitha kohërat.
“Mendoj se lojtari më i mirë sot është Cristiano Ronaldo, ai është më i qëndrueshëm. Sigurisht nuk mund të harrosh edhe Messin”. Më i mirë në histori? Pele as nuk e diskuton se ai është më i miri dhe jep edhe argumentin e tij për këtë.
“Është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur. Askush nuk mund ta harrojë Zico, Ronaldinho, Ronaldo, apo lojtarë të tjerë në Europë, si Beckenbauer dhe Cruyff. Tani, nuk është faji im: Unë mendoj se Pele ishte më i mirë se ata. Pse? Sepse të gjithë i krahasojnë me mua”, shprehet legjenda braziliane.