Pejani kërkon ndihmën e Policisë pasi gruaja ia mbylli derën e banesës: Fjeta në shkallë…


Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një burrë kërkoi ndihmën e Policisë, duke e denoncuar bashkëshorten e tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, sherri mes tyre ka plasur pasi gruaja nuk e lejoi burrin të futet në banesë, duke ia mbyllur derën.

Sinjali mëson se konflikti nisi për shkak të akuzave të gruas se burri po i lë fëmijët e tyre pa ushqim dhe nuk e la që të futej brenda.

Përballë kësaj situate, viktima e raportoi rastin në stacion policor, ku ka deklaruar se është detyruar të fle në shkallët e banesës.

Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është intervistuar dhe kanë dhënë deklaratën e saj për atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj gruas është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”.