Pece Avramovski është donatori i organeve, i cili shpëtoi disa jetë duke dhuruar zemrën, veshkët, mëlçinë e disa organe tjera

Pardje është bërë transplantimi i shumë organeve ku një pacient ka marrë zemrën, një pacient mëlçi, dy pacientë kanë marrë veshka dhe në ditët në vijim pacientët nga Klinika Universitare për Ortopedi do të kenë mundësi të marrin edhe indet kockore, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministri Demiri falënderoi familjen e donatorit, identiteti i të cilit tashmë po shpërndahet në rrjetet sociale dhe për të cilin po i jepet respekt.

Siç njofton portali nga Manastiri “Babam Bitola”, bëhet fjalë për Pece Avramovskin, të riun nga Manastiri, familja e të cilit me vendimin për dhurimin e organeve i shpëtoi shumë jetë.

Motra Peces, Elizabeta Trajçevska, në mënyrë emocionuese në rrjetet sociale e ka dhënë lamtumirën e fundit duke thënë se ai është hero.

– Ti ike, por ke shpëtuar jetë të tjera, vëllai im. Pusho në paqe, ka postuar ajo.

Siç njoftoi më herët Ministria e Shëndetësisë, pas pëlqimit të marrë të martën, në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë filluar transplantet e zemrës, mëlçisë, veshkave dhe indeve kockore.

Demiri shprehu mirënjohjen publike për familjen e donatorit, e cila rikujtoi rëndësinë e ndjeshmërisë dhe humanizmit edhe në momentet më të vështira të jetës.

– Vendimi i tyre sot do të thotë një jetë e re për dikë, pasi dje kemi shpëtuar të paktën 4 jetë. Dhurimi i organeve është akti më i lartë i altruizmit që na bën të gjithëve njerëz më të mirë duke shpëtuar jetë njerëzore. Një falënderim i madh për të gjitha ekipet mjekësore që janë duke punuar me pacientët dhe duke u kujdesur për shëndetin e tyre gjatë këtyre 48 orëve, tha Demiri.

Që nga viti 2020 janë transplantuar 11 zemra, 4 mëlçi, 38 veshka dhe 24 inde kockore, gjithsej 77 organe që do të thotë jetë.