PE: Zgjedhjet, test për pjekurinë politike në Maqedoninë e Veriut

Eurodeputetët përgjegjës për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian kërkojnë fushatë zgjedhore të besueshme, transparente dhe objektive pa dezinformata dhe frikësime, transmeton MIA.

“Më 15 korrik, populli i Maqedonisë së Veriut do të ushtrojnë të drejtën e tyre politike për të vendosur se kush do të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme, duke e udhëhequr atë përmes fazave kryesore të negociatave të vështira me BE-në”, deklaroi raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk.

Mesazhi i tij para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, së bashku me kryetarin dhe nënkryetarin e Komitetit të Përbashkët Parlamentar, Andreas Shnajder dhe Marion Valsman, është që zgjedhjet do të jenë testim i pjekurisë politike të vendit.

Duke pasur parasysh krizën shëndetësore, eurodeputetët u kërkojnë të gjithë aktorëve politikë të veprojnë me përgjegjësi.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të sigurojnë proces të ndershëm zgjedhor dhe masa mbrojtëse të duhura”, kanë shkruar eurodeputetët.

Ata gjithashtu kujtojnë se marrëveshjet e fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe Bullgarinë do të jenë “në qendër të së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut”, duke lënë të nënkuptohet me këtë edhe fokusi i kornizës së negociatave të Brukselit në negociatat e ardhshme të anëtarësimit në BE.

“Përmes gjithëpërfshirëses, tolerancës dhe diplomacisë pozitive, Maqedonia e Veriut ka treguar se është e përkushtuar të tejkalojë ndarjet e brendshme dhe të jashtme, duke dhënë shembull për fqinjësinë. Vazhdimi i dialogut ndërpartiak pas zgjedhjeve ka rëndësi të madhe. Anëtari më i ri i NATO-s ka nevojë për siguri politike për të vazhduar në rrugën e konsolidimit demokratik dhe procesit të transformimit”, është porosia e Parlamentit Evropian dy javë para zgjedhjeve parlamentare.

Pas zgjedhjeve, eurodeputetët rikujtojnë, do të jetë e nevojshme institucione plotësisht funksionale, si dhe opozitë të përkushtuar për të udhëhequr vendin përmes krizës ekonomike pas Kovid-19 dhe përmbushjes së reformave të BE-së.

Parlamenti Evropian mirëpret përpjekjet e Komisionit Evropian për të paraqitur sa më shpejt kornizën e bisedimeve dhe i nxit vendet anëtare që ta miratojnë atë pa vonesë.