PDSH: Nevojiten reforma në mbrojtjen sociale

Përfaqësues të Komisionit për politikë sociale pranë Partisë Demokratike Shqiptare në selinë e partisë në konferencë për shtyp theksuan se nevojitet ndryshimi i sistemit i cili sipas tyre e privon qytetarin nga mbrojtja sociale për shkak të politikave të gabuara.

“Sistemi i tanishëm i politikës sociale është i pareformuar në pajtim me kërkesat e Bashkimit Evropian sepse nuk siguron shërbim cilësor dhe proporcional. Ky është një sistem i politizuar në të gjitha nivelet si ndihmë sociale, punësim social, centralizim i tepërt. E dekurajon të punësuarin në institucionet sociale, si dhe shfrytëzuesit e ndihmës sociale, sepse dokumentacioni dhe procedurat janë voluminoze dhe të vështira për plotësim”, theksoi Ragmi Jusifi i PDSH-së.

Politikat e PDSH-së janë afrimi i institucioneve sociale deri te qytetarët.

“Kjo nënkupton vendosjen e institucioneve sociale relevante, të cilat do t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve lidhur me sigurinë e tyre sociale sipas nevojave dhe aftësive të tyre, eliminimin e ndarjeve të qytetarëve në forma të ndryshme, transparencë më të madhe nga ana e institucioneve për të drejtat e qytetarëve”, tha Jusufi.