PDSH-ja nesër mbledh kryesinë, ja cilën ministri pritet ta merr


Pas ofertës që mori nga kryeministri Zoran Zaev, nesër në mesditë Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Shqiptare do të vendosë nëse ky subjekt do të bëhet pjesë e ekzekutivit.

Pas mbledhjes së këtij organi që do të nis në ora 12:00 në sallën e komunës së Tetovës, pritet të bëhet e ditur edhe ministria që do ta drejtojë kjo parti dhe kuadri që do të udhëheq atë.

Sipas burimeve jozyrtare, partisë së Thaçit i është ofruar ministria pa resor për investime të huaja që drejtohej nga Ramis Merko derisa ky i fundit u zgjodh në krye të komunës së Strugës.

Emri më i përfolur për të marrë këtë post nga PDSH-ja është profesori Bardhyl Dauti, ish deputet i kësaj partie dhe kandidat për komunën e Tetovës në zgjedhjet e fundit lokale.

Poshtu, për PDSH-në janë rezervuar edhe disa drejtori. Krahas PDSH-së, pjesë e Qeverisë së Zaevit pritet të jetë edhe Lëvizja Besa, që sipas të gjitha gjasave do ta merr ministrinë e Kulturës.