Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosoëvs, Abelard Tahiri, e ka quajtur të paaftë dhe të papërgatitur Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas tij, kjo qeveri është duke improvizuar.
“Realisht ky ka qenë fillimi më i dobët i mundeshim i një qeverie. As ne si PDK nuk e kemi prit duke pas parasysh se Kurti ka qenë për 12 vite në opozitë dhe ka qenë një lloj opozitari i zellshëm dhe kritikues jashtëzakonisht i madh i proceseve që kanë ndodhur në qeverisjet që PDK ka drejtuar dhe ka qenë pjesë e tyre.
Në këtë rast, ajo që kemi pa ky ekip qeveritar dhe ky kryeministër janë totalisht të papërgatitur dhe të paaftë për të qeverisë vendin”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo që menjëherë do të duhej të ndodhte pas votimit të Qeverisë, sipas Tahirit, është të vinte programi qeveritar në Kuvendin e Kosovës.
“Realisht seanca e parë që duhet të mbahej pas formimit të qeverisë do të duhej të ishte programi i kësaj qeverie…Unë si opozitar do të doja me kritiku dhe pas qasje kritike ndaj politikave të caktuara. Mirëpo, këtu nuk ke ndaj kujt me pas kritik sepse nuk ka kurrfarë kritike. Këtu kemi kritikë ndaj kryeministrit dhe qeverisë vetëm që nuk kanë plan. Është bërë një muaj dhe këta po mundohen me improvizuar”, ka pohuar Tahiri.
Deputeti i PDK-së i ka konsideruar të papranueshme vendimet e fundit të qeverisë si dhe i ka kërkuar kësaj të fundit që t’i rishqyrtojë ato.
“Në vend që të ndihmohen edhe më shumë pensionistët sepse janë një kategori e atakuar nga pandemia, këta shkojnë dhe iu zbresë. Kjo është e papranueshme, unë i kërkoj kësaj qeverie ta rishikojë këtë vendim sepse është e papranueshme. Në anën tjetër zbriten shtesat për mjekët që vërtet janë heronj tanë që po ballafaqohen në vazhdimësi me pandeminë.
Këtu po e them që kjo qeveri nuk e qeverisë vendin në bazë të rrethanave që janë krijua sepse nuk mundesh me pas prioritet tjetër kur atakohesh prej pandemisë”, ka deklaruar Tahiri për Kp.
Lidhur me vizitën e kryeministrit Albin Kurti javën e ardhshme në Bruksel, Tahiri ka thënë se mungesa e një strategjie për dialogun është e dëmshme.