PDK e cilëson vizitën e Kurtit në Skënderaj provokim dhe inskenim

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skënderaj ka reaguar pas vizitës që lideri i VV-së, Albin Kurti ia bëri Skenderajt.

Për vizitën e Kurtit, i cili në Drenicë u gjuajt edhe me vezë, dega e PDK-së tha se është provokim dhe inskenim dhe se shoqërimi nga Njësia Speciale “ngjall kujtime të kohëve të errëta”.

“Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës. Pse ndodhi kështu?”, thuhet në reagimin e tyre.

Kjo parti ka shkruar tutje se Kurti ka tentuar ta paraqesë Skenderajn si zonë me rrezikshmëri.