PD reagon për sulmin në Gramsh: Agresion terrorist i zbuluesve rusë. Të rikthehen vizat!

ilustrim

Për sulmin ndaj ushtarëve në Uzinën e Armëve në Çekin të Gramshit, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gramsh, ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të hyjnë brenda perimetrit por ndeshën në rezistencën e rojeve ushtarake, të cilët më pas u sulmuan me lëndë kimike.

PD kërkon që t’u ndalohet menjëherë hyjra në territorin e Shqipërisë turistëve rusë dhe të rivendoset regjimi i vizave me Federatën Ruse.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:

‘Turistë’ zbulues rus sulmojnë si terrorist ushtarët në uzinën ushtarake të Gramshit.

Të dashur miq, Ministria e Mbrojtjes njofton se “Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.”

Mediat njoftojnë se rusët, në fakt agjentë zbulues, pasi kanë bërë dje gjatë ditës rikonjicion, janë futur sot pa vështirësi në mjediset e Uzinës ushtarake të Gramshit. Ushtarët roje të Uzinës kanë tentuar ndalimin e tyre, por rusët i kanë sulmuar me lëndë kimike djegës të natyrës së paqartë dy ushtarët roje dhe kanë krijuar plagë djegije.