PASOJAT NGA VALA E NXEHTIT NË EVROPË, PESHQIT NGORDHIN, ALGAT TOKSIKE SHUMOHEN, BUJQIT FALIMENTOJNË

https://www.facebook.com/tv21hd/videos/1311842968945904/

Peshqit nëpër lumenj dhe liqene kanë çdoherë e më pak oksigjen dhe ngulfaten, thonë shkencëtarët evropian. Në Hamburg, këto ditë autoritetet lokale kanë mbledhur pothuajse pesë tonë peshq të ngordhur nga liqenet e rrethinës, me ç ′rast ekipet e zjarrfikësve kanë filluar të dërgojnë ujë të freskët nëpër liqene me qëllim që tua lehtësojnë frymëmarrjen peshqve.

Në Britani, Agjencia për ekologji kumtoi se në disa rajone kanë ngordhur rreth 6 mijë peshq. Pasoja numër dy është shkrirja e akullnajave, kështu që ajo që deri më tani vlerësohej si pika më e lartë në Suedi, Kebnekase, tashmë nuk është pika më e lartë pasi që akulli është zvogëluar për katër metra. Autoritetet suedeze, poloneze dhe lituaneze, i paralajmërojnë notuesit nëpër dete, se pasoja numër tre janë – algat toksike , janë shtuar gjithkund si pasojë e ujit të ngrohtë.

Shkencëtarët e testojnë përmbajtjen e tyre dhe tentojnë që t′i përdorin në proceset teknologjike dhe në farmaci. Zjarret e pyjeve përmenden si pasoja e katërt, me 91 viktima në Greqi dhe rreth 20 mijë hektarë tokë të djegura në Suedi.

Në kushte të valës së të nxehtit dhe pa erë, është rritur edhe shkalla e ndotjes së ajrit në Evropë. I nxehti dhe thatësia i shkatërruan të mbjellat bujqësore, ndërsa vlerësohet se janë shkatërruar  më shumë se gjysma e të mbjellave.

Disa bujq thonë se po përballen me falimentim, ndërsa në Lituani dhe Letoni, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Komisioni Evropian, për të ndihmuar, paralajmëroi pagim më të shpejtë të subvencioneve në vendet ku thatësia është më e madhe.

Pasojë nga moti i nxehtë në Evropë, është edhe shitja shumë e madhe e birrave, kështu që disa birrari kanë mbetur pa ambalazhe. Birraria Morc Fige, kërkoi ndihmë në Facebook, duke shkruar: “Kohë e mrekullueshme + birrë e mrekullueshme = etje serioze, por ne nuk kemi më shishe, kështu që para se të shkoni në pushim, ju lutemi të ktheni shishet e zbrazura në shitoren lokale.

Temperaturat e larta në Evropën Veriore i detyroi institucionet të kërkojnë mënyra të ndryshme për freskim. Në Gjermani hekurudha shtetërore Dojçe Ban, i freskon vagonët edhe kur janë të zbrazur, ndërsa pasagjerëve u jepet ujë falas në rast se treni vonohet. Një supermarket në Finlandë kumtoi se do të jetë i hapur gjatë natës këtë fundjavë, që disa nga blerësit të munden të flenë brenda, në vend më të freskët.