Pasi doli pozitiv për coronavirus, mjeku i Trump tha se presidenti mori një “kokteil eksperimental antitrupash”


Presidenti Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane “Walter Reed” pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër coronavirusit, ka njoftuar më herët Shtëpia e Bardhë.

Më herët Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital, bazuar në rekomandimet e mjekut.

“Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës”, kishte thënë në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
Ndërkohë, më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë, shkruan VOA.

Presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një kokteil eksperimental antitrupash ndaj COVID-19, tha mjeku.

REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.