Pasaporta zvicerane mund të fitohet vetëm nëse dhjetë vitet e fundit nuk kemi marrur…

Nuk përjashtohet mundësia që kantoni i AG (Argaut) në bëhet i pari në Zvicër, me një rregull sadopak atipike, apo jashtëzakonisht të ashpër për personat që synojnë marrjen e shtetësisë zvicerane. Në këtë kanton, të dielën më 9 shkurt 2020, do të votohet për miratimin (apo jo) të një ligji, i cili parashikon një rregull specifike mbi kushtet për fitimin e shtetësisë zvicerane. Në fakt, nëse ligji në fjalë kalon, në momentin e depozitimit të kërkesës për shtetësi, kandidati duhet të dëshmojë se dhjetë vitet e fundit nuk është n’varur ndonjëherë nga ndihmat sociale.

Në rast miratimi, do të ishte ky ligji i parë kantonal në Zvicër me një ashpërsi të kësaj shkalle Kjo rregull do t’i tejkalonte dukshëm kushtet minimale të parashikuara nga ligji federal mbi shtetësinë, i cili nuk shkon aq larg, por kufizohet në kritere më të buta. Në fakt, një rregull parimore federale kufizohet vetëm në analizën e gjendjes për tre vitet e fundit (e jo dhjetë vite!) Edhe pse me këtë ligj kantonal parashikohen disa përjashtime, sidomos ajo që rregulla përkatëse mos të aplikohet ndaj kategorisë së personave, të cilët, për arsye të pamundësive objektive (për shembull për arsye shëndetësore), n’varen nga ndihmat e shtetit, prapëseprapë analistët e ndryshëm janë të mendimit se asgjë nuk i arsyeton ashpërsimet e propozuara. Paralelisht me këtë rregull, po në të njëjtin kanton, për kushtet e shtetësisë, nuk mungojnë as propozimet për një ashpërsim të theksuar të rregullave që kanë të bëjnë me njohurit e thelluara mbi shtetin zviceran. Kushte këto shumë më të ashpra se sa në disa kantone të tjera. Kjo që është duke ndodhur, siç duket, integrohet në regjistrin e tendencave të mëtutjeshme që kanë të bëjnë me shtimin e ashpërsimeve ligjore ndaj të huajve. Jo një rast i izoluar ky, pasi që, edhe disa kantone të tjera, janë duke përcjellur po të njëjtën dinamik, duke reflektuar edhe ato për shtimin e masave të rrepta në këtë drejtim.