“Pasaporta imunologjike”, Filipçe: Jemi të hapur për këtë opsion

Disa shtete tani më po diskutojnë vendosjen e të ashtuquajturës pasaportë imunologjike, me të cilën do të pasqyrohet gjendja shëndetësore dhe e cila do të jetë kusht për të udhëtuar në të ardhmen. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp tha se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse për momentin nuk mendon se kjo është masë efikase për mbrojtje nga virusi, por që nuk e përjashtojnë si opsion.

“Pyetja për pasaportë imunologjike është diçka aktuale javëve të fundit sepse secili shtet në një mënyrë do që të mbrohet, por nuk ka konsensus. Kjo masë ende diskutohet në nivel të shteteve. Ne diskutuam në suaza të Komisionit tonë, për momentin mendojmë se nuk mund të ketë ndonjë vlerë të madhe në aspektin e sigurisë, por jemi të hapur për këtë opsion, edhe për qytetarët tanë që duhet të udhëtojnë por edhe për të huajt që vijnë në vendin tonë”, tha mes tjerash Filipçe.

Ministri Filipçe numëroi disa arsye se pse deri më tani kjo masë nuk po konsiderohet si efikase.

“Dilemat janë se cili protokoll do të pranohet si valid, më tej sa ditë do të vlejë testi si valid, sa do të komplikohet i gjithë ky proces nëse bëhet fjalë për udhëtime të shkurtra për një ose dy ditë dhe për fund, cili është garanca që dikush mos të infektohet me virus nga testimi deri në hyrjen në ndonjë shtet”, theksoi Filipçe.