A e kanë ndërmend institucionet kompetente t’i pyllëzojnë sipërfaqet e dje*gura? Drejtoresha e Ndërmarrjes Publike “Pyjet Nacionale” Juliana Nikollova thotë se së pari duhet të pritet dhe të shuhen zja*rret tërësisht, e pastaj Inspektorati i Pylltarisë do të dalë në terren për të bërë kontroll.
“E dini ne kemi baza vjetore ku kemi paraparë mbjelle të drunjve. Duhet të bëjmë aneks të këtyre bazave, sepse situata tashmë ka ndryshuar. Pastaj, Inspektorati na detyron të bëjmë sanim në terren. Pastrim i terrenit dhe pyllëzim”, deklaroi Nikollova.
Por, a ka fidanë të mjaftueshëm dhe punëtorë të cilët do ta kryejmë këtë punë? Nikollova pohon se ka fidanë, por lidhur me atë sa punëtorë do të nevojiten për mbjellje, thotë se do të presin të përfundojë e gjithë situata dhe vlerësimi fillestar në terren.
“Më duhet të theksoj se kemi fidanë në njësitë tona të cilat prodhojnë material jashtëzakonisht cilësor dhe me këtë material ne mund ta mbulojmë këtë terren. Fidanishtet tona në Shën Nikollë dhe Kumanovë janë të pajisura mirë dhe kanë kapacitet t’i plotësojnë të gjitha nevojat”, tha më tej Nikollova.
Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini paralajmëron ndihmë nga BE-ja për t’i kthyer pyjet siç kanë qenë.
Dyshimet e qytetarëve që i shfaqën përmes rrjeteve sociale se toka e dje*gur do të shitet si tokë bujqësore, ministri Arjanit Hoxha i cilëson si të pabaza.
Sipas ligjit, sipërfaqet e djegura duhet të pyllëzohen brenda dy viteve. Por, për riparimin e pyjeve do të duhen nga 20 deri në 50 vite. Vlerësimet e para lidhur me dëmin e shkaktuar material, do të mësohen kah fundi i javës që vjen. Në vitin 2020 janë pyllëzuar gjithsej 569 hektarë, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë. Ky numër është më i lartë në vitin 2019 dhe 2018 kur ishin mbjellë nga pothuajse një mijë hektarë. Për një periudhë 3-vjeçare janë pyllëzuar gjithsej 2.493 hektarë.