Pas vendimit të PZAP-së, Duda Balje mund të hyjë në Kuvend në vend të Adriana Hoxhiq

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës bëri të ditur se bazuar në rezultatet e deritanishme dhe nëse vendimet e PZAP-it nuk ankimohen në Gjykatën Supreme dhe kjo e fundit nuk vendos ndryshe, i bie që do të ndryshojë edhe konfiguracioni politik i Kuvendit. Cakolli në një deklaratë tha se me vendimet e fundit të PZAP-it sa i përket votave të komuniteteve, boshnjak, rom dhe lidhur me votat e një prej kandidatit të AAK-së i është dhënë një drejtim i mbarë i procesit zgjedhor dhe në radhë të parë është siguruar kushtetutshmëria sa i përket përfaqësimit të komuniteteve.“Bazuar në rezultatet e deritanishme nëse këto vendime nuk ankimohen në Supreme dhe Supremja nuk vendos ndryshe, i bie që do të ndryshojë edhe konfiguracioni politik i Kuvendit. Zonja Adriana Hoxhiq do të mbetet jashtë kuvendit dhe me shumë gjasë pozitën e deputetes do ta zë zonja Duda Balje”, tha ai.

Cakolli tha më tej se tek votat e komunitetit rom mbetet të shihet a do të humbin mandatit e dytë.“Sa i përket votave të kandidatëve brenda listës së AAK besoj që vendimi në formatin që e ka publikuar PZAP është domosdoshëm dhe rinumërimi i këtyre votave me kusht do të ofrojë pasqyrë më të qartë, a ka pasur njëmend skema të man*ipulimit të qindra votave të rezultateve të kandidatëve brenda listave të njëjta të subjekteve politike”, tha më tej Cakolli.

Sipas tij, në rast se vërtetohet se ka skema të man*ipulimit të votave me kusht dhe të diasporës padyshim do të ketë hije të keqe të procesit zgjedhor, ndonëse nuk cenohet në esencë integritet i procesit meqenëse pikërisht ky vendim për rinumërim do të rrisë besueshmërinë e publikut në këtë proces.

“Sa i përket votave të komuniteteve, ne kemi vlerësuar se çështja e votave të komuniteteve ka ngjallë dyshime të shumta dhe në fakt adresimi i tyre përbën avancim të procesit zgjedhor sepse korrigjohen gabimet”, tha ai. Cakolli foli edhe për kohën se kur pritet të ndodhë certifikimi i zgjedhjeve.“Unë besoj që do të marrë kohë nëse KQZ do të presë vendimet e Supremes për rinumërim, ka fare pak gjasa ose aspak që certifikimi i zgjedhjeve të ndodhë në këtë javë. Tashmë fillon të rrjedh afat 24 orësh për Gjykatën Supreme, e njëjta ka 72 orë për t’i adresuar këto shqetësime.Nëse merret trendi i zakonshëm i 45 tavolinave të numërimit, atëherë votat me kusht dhe të diasporës për AAK do të mund të numëroheshin brenda 1 ose 2 ditë. Duke pasuar sërish një afat 24 orësh të ankimimit në PZAP, i bie që do ta përmbyllim këtë proces nga fillimi i javës së ardhshme”.