Pas turpit me zëvendësministra shpiken koordinatorët, Qeveria i paguan sa ministrat

Ramush Haradinaj dhe partitë e koalicionit po e dëshmojnë fuqishëm veten në rritjen enorme të kabinetit qeveritar, në mungesë të një ligji që e rregullon këtë çështje. Pas një numri skandaloz të zëvendësministrave e që janë afër 80 sish, tash ka shpikur edhe një pozitë, atë të koordinatorit. Por jo vetëm kaq.

Paga e tyre do të jetë njësoj sikur edhe e një Ministri. Luksi që e kanë ministrat, nuk do u mungojë as koordinatorëve, të cilët do të kenë mundësinë e emërimit të tre këshilltareve si pjesë e stafit të tyre.
Qeveria Haradinaj po del të jetë me kabinetin më të madh në historinë e politikës kosovare. Por pavarësisht kritikave të shumta qoftë nga opozita por edhe nga shoqëria civile, Haradinaj e zgjeroi pushtetin e tij duke sjellë pozita të reja, atë të koordinatorëve. Ndërkohë që pavarësisht reagimeve të mëdha në rrjete sociale, opozita nuk është se e ka bë të madhe këtë çështje. Gazeta Express e ka kontaktuar shefin e Grupit Parlamentar të LDK’së Avdullah Hotin por i njëjti nuk është përgjigjur për këtë situatë

Tre zyrtarë tashmë do të paguhen po aq sa i merr në muaj një ministër. Besnik Tahiri – koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugova – koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit dhe Rexhep Hoti – koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Të njëjtit, përveç përfitimeve siç i ka një ministër, do të kenë hapësirën që rreth vetes t’i marrin edhe nga tre këshilltarë.

Nga Qeveria e Kosovës e kanë pranuar për Express se janë tre koordinatorë që janë emëruar deri tash dhe se pozita e tyre është në gradë pothuajse si ministrat.

Kjo praktikë e re në këtë Qeveri, është kritikuar ashpër edhe nga hulumtuesi i lartë i KDI’së Artan Murati.

Ai thekson se emërimi i koordinatorëve në Qeverinë Haradinaj është edhe një veprim tjetër i çoroditur i kësaj Qeverie.

“Është krejtësisht i pakuptimtë dhe i paarsyeshëm një veprim i tillë, duke pasur parasysh madhësinë e kabinetit qeveritar të qeverisë aktuale. Mbi 20 ministri e 80 zv.ministra janë shumë, e lëre më ky numër të rritet edhe më tepër. Kryeministri duhet të sqaroj cili është roli i këtyre koordinatorëve, cilat janë detyrat specifike të tyre dhe mbi të gjitha sa do ti kushtojnë qytetarëve të vendit këta koordinatorë”, ka thënë të mërkurën për Express.

Siç vlerëson Murati, emërimi i tyre po krijon përshtypjen se këto veprime po bëhen ekskluzivisht për të rehatuar në poste qeveritare individë partiak të koalicionit qeverisës, për të siguruar sadopak stabilitet por edhe jetëgjatësi të kësaj qeverie.
“Kjo qasje qeverisëse është krejtësisht e gabuar, dhe nuk i shërben aspak qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

Për zgjerimin kaq të madh të kabinetit qeveritar, Haradinaj ishte arsyetuar se kjo po ndodh për shkak të koalicioni të madh, ani pse vite më parë e kishte kritikuar Isa Mustafën pikërisht për zëvendësministra