Alban Ramosaj u shpall fitues i edicionit të fundit të “Kënga Magjike” dhe duket se ky vit do të jetë plotësisht i tij. Artisti ka vendosur që të punojë fort dhe ka paralajmëruar se projekte të reja do vijnë shumë shpejt. Ditët e fundit ai ka udhëtuar drejt Stambollit, ku mund të jetë duke punuar edhe për këngët e tij të reja.
Këngëtari ka ndarë në rrjete sociale disa foto të tij dhe përmes tyre ka paralajmëruar se së shpejti do të sjellë diçka të re.
“Mbrëmjet në Stamboll. Gëzuar për gjërat që po vijnë”, ka shkruar Albani përkrah fotove pa dhënë shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë.
Ndërkohë në një intervistë të dhënë së fundmi për “Wiwiblogs”, blogun më të madh dedikuar “Eurovision”, Albani shprehu hapur dëshirën për të përfaqësuar një ditë Shqipërinë në festivalin europian.
Ai tha se “Eurovision” ka qenë gjithmonë një nga ëndrrat e tij më të mëdha dhe se dëshiron shumë ta përfaqësojë Shqipërinë një ditë për të marrë gjithë dashurinë dhe vëmendjen e publikut. Gjithashtu Albani tha se i preferuari i tij për këtë vit ishte Gjon’s Tears, përveç Anxhela Peristerit. Ndër të tjera ai u shpreh shumë krenar për veten, që arriti të fitonte i pari nga familja Ramosaj-Hadërgjonaj çmimin e madh në “Kënga Magjike”.