Pas shtrenjtimit të çmimeve, a do të shtrenjtohet edhe dreka e Bajramit?

Në prag të festës së Bajramit si zakonisht çmimet e produkteve ushqimore rriten brenda natës. Por, sivjet tregtarët thonë se nuk kanë lëvizur çmimet edhe përkundër rritjes së kërkesës nga qytetarët. Ata ankohen se vetëm këtë fundjavë ka interesim të shtuar për blerje. Çmimet e rritura gradualisht nga kriza kanë arritur kulmin, sa që nuk kanë si të rriten ende për festa.

“S’ka njerëz, gjithë këta që shihni janë që shesin nëpër tezga, me një pagë apo me pension dhe ndihmë sociale është problem. Çmimet nuk kanë lëvizur, janë të njëjta, madje disa edhe më lirë: këto janë 30, domatet 20 denarë, specat 40 denarë. Çmimet janë reale por s’ka punë-s’ka para. Problem i madh!”, thotë një shitës.

“Po janë rritur, jeta është bërë shumë më e shtrenjtë, do të thosha mjerë populli që nuk ka para. Me dal s’mund të blesh se është shumë shtrenjtë”, tha një blerës.
“Po janë shtrenjtuar sikurse gjithçka tjetër edhe këto janë më shtrenjtë. Vetë prodhimit i është rritur kostoja prandaj edhe produktet janë shtrenjtuar”, u shpreh një shitës.

Duke llogaritur një drekë të festës së Bajramit për një familje mesatare prej 4-6 persona, besimtarët musliman sivjet paguajnë rreth 3 mijë denarë më shtrenjtë. Gastronomët përgatitën një meny me bukë, supë, mish, sallatë, pije freskuese dhe desert bakllava që dikur ishte 6-7 mijë denarë, a tani kushtojnë 9 deri 10 mijë denarë./Alsat.mk