Pas publikimit të skandalit, kërcënohet me jetë redaksia e Pa Censurë-s! (FOTO)


Sot pas publikimit të fotografisë ku transportohej mishi nga mjeti transportues, deri tek mishtorja pa asnjë lloj standardi, njerëz të afërm me mishtoren në formë agresive dhe kërcënuese, janë drejtuar deri tek redaksia e portalit Pa Censurë, duke i thënë që do të të “therrim në vend të mishit” nëse nuk e largoni fotografinë.

Të njëjtët kanë përdorur formën e kërcënimit edhe me shkrim edhe në telefon. Ata janë shprehur në formë agresive dhe kanë kërcënuar me jetë punonjësit e portalit.

Ky nuk është rasti i parë që kërcënohet puna e gazetarëve të Pa Censurë. Kërcënimet për vrasje, janë të shpeshta në adresën tonë.

Rasti është denoncuar në polici ku është njoftuar edhe personalisht zv ministri i Punëve të Brendshme, prokurori, organizatat që mbrojnë gazetarët dhe në bazë të fakteve, i njëjti rast ndiqen si kërcënim për vrasje.

Njëherit ju bëjmë thirrje të gjithë pretendentëve të radhës, të cilët do të tentojnë të ndalojnë punën e portalit Pa Censurë, se do t’i publikojmë pa hezitim të gjitha kërcënimet.

Pa Censurë rastin në fjalë do ta procesojë edhe më tej dhe do të ju njoftojë për rrjedhën e ngjarjeve.